Maliq Doçi: FARK-u kishin pranuar të bashkëpunonin me UÇK-në

Në një intervistë për gazetën “Lajm”, koloneli Maliq Doçi që kishte braktisur ushtrinë e rregullt shqiptare për t’u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se në kohën e luftës nuk ka pasur asnjë mundësi që të zhvillohen trafikim organesh, siç pretendonte Dick Marty.
Sipas tij, UÇK-ja kishte problem që të shëronte ushtarët e saj të plagosur, ndërsa për trafikim as që ka mundur të bëhet fjalë.
Ai ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK) kishin pranuar që të bashkëpunonin me UÇK-në. Ndërsa, politikanët në viset shqiptare i ka porositur të mos harrojnë idealin për të cilin është zhvilluar lufta për bashkimin kombëtar.
“Në pranverë të vitit 1998, unë kam qenë pjesëmarrës me një takim me Xhavit Halitin, të ndjerin Ahmet Krasniqi dhe TahirZemën dhe një tjetër me emrin Vehbi që ishte shefi i sigurisë aty. Takimi është bërë në Kukës, shumë ilegal, diskutohej për rrafshin e Dukagjinit kush do të caktohej komandant. Është pranuar bashkëpunimi nga ish-ministri i Mbrojtjes, për pjesën që kam qenë unë aty, kemi replikuar me palën për të hyrë në Kosovë dhe për të vepruar në Kosovë. Pastaj në ngjarjet e verës së 98-s, kishin një njësi me komandant Agim Ramadanin në rajonin e Tropojës, falë punës sonë dhe evoluimit të ngjarjeve, pranuan që të bashkëngjiten, pranuan që të hapej fronti”, thotë kolonel Doçi. /Indeksonline/