Maliqi i ëmbël por i harruar nga e gjithë bota

Qyteza e tkurrur në disa godina të vjetra pa arkitekturë, është zbehur përherë e më shumë nga shkëlqimi i saj i hershëm dhe tani mbizotëron vetëm grija e varfërisë
Të jetosh me dëshirën për të qenë përgjithmonë i ëmbël është bukur, por kur sheqeri kthehet në një hidhërim të madh shoqëruar nga varfëria, kjo duket gati e pabesueshme. Në fakt e vërteta lidhet me sheqerin një produkt që nuk mban më etiketën "Made in Maliq".
Një qytet që dikur ofronte shumë, madje me një histori gati gjysmë shekullore, është duke u shkrirë përmes harresës të të gjithëve, madje dhe banorëve të trishtuar që përpiqen t'i largohen sa më parë. Maliqi është absurdi por dhe realiteti i një të vërtete që vret, mbushur me shumë varfëri, papunësi edhe me njerëz pa ëndrra...
I ndodhur vetëm 10 kilometra larg kryeqendrës së juglindjes, Korçës, Maliqi i tkurrur në disa godina të vjetra pa arkitekturë, është zbehur përherë e më shumë nga shkëlqimi i tij i hershëm.
Pavarësisht ndonjë përpjekje të bashkisë për t'i dhënë imazhin e një kohe të re, duket se e shkuara në këtë vendbanim nuk mund të largohet asnjëherë. Madje njerëzit në Maliq jetojnë me të shkuarën të cilën e kanë pikën e tyre të referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg.
I njohur si qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot duket se shija e të ëmblës është larguar nga maliqarët, të cilët e konsumojnë produktin e tyre të preferuar, ndonëse vjen nga kontinente të largëta.
Por sikur të mos mjaftonte kjo goditje, varfëria e tyre kalon çdo cak. Të papunë, të pashpresë dhe të mbledhur në ca pallate që vazhdojnë të kenë ende mobilimin e njohur të para viteve '90-të, është skema standarde që sheh ngado në këtë qytet të çuditshëm, që nuk ka se çfarë të të ofrojë, përvç mikpritjes që nuk i shteret asnjëherë...
Pak histori
Qyteza që ka humbur dëshirën për të jetuar ka dhe historinë e saj, madje që vjen nga koha e ilirëve, pasi në këtë zonë arkeologët kanë zbuluar dhe një nga vendbanimet më të lashta në vend.
Duke iu referuar pozicionit gjeografik Maliqi ndodhet afro 812 metra mbi nivelin e detit. Bashkia e vogël e Maliqit përbëhet nga qyteti i Maliqit, si dhe 6 fshatra që përbëjnë zonën rurale të tij.
Maliqi është ngritur pas tharjes së kënetës së famshme, për të cilën është punuar nga viti 1947 deri në vitin 1950. Për tharjen e kënetës kanë punuar 13 mijë punëtorë për gati 4 vjet. Aty janë angazhuar edhe të burgosurit e asaj kohe, të cilët i zhyteshin mes moçalit dhe baltës duke i fundosur në thellësi të tinës, për të mos dalë më të gjallë prej andej.
Puna për tharjen e kënetës ka qenë një mënyre gati barbare për seleksionimi e "armikut të klasës". Rrëfimet e dëshmitarëve të kohës tregojnë se trupat e të burgosurve të zhytur mes moçalishtes bëheshin urë për të kaluar drejtuesit e kohës. Të thithur nga tina shumë prej tyre jepnin shpirt, ndërsa askush nuk pranonte ta tregonte në atë kohë të paktën, këtë të vërtetë të frikshme.
Qyteti i Maliqit është ngritur si qytet industrial në vitin 1951, për prodhimin e sheqerit dhe të nënprodukteve të tij. Tharja e kënetës dhe përfitimi i tokës, bëri të mundur vendosjen e popullsisë nga vise të ndryshme kryesisht të Juglindjes. Në fabrikën e sheqerit atë të nishestesë dhe alkoolit, si dhe atë të prodhimit të gazit punonin 1500 punëtorë jo vetëm nga ky qytet, por dhe nga Korça e fshatrat përreth.
Si jetojnë banorët
Prej dy dekadash Maliqi, kjo qytezë vetëm 10 kilometra larg Korçës jeton në agoninë e shndërrimit të frikshëm të tij, jo për faj të banorëve por të harresës së madhe të shtetit. Tashmë 5 mijë banorët e tij janë mbyllur si në një rreth të ferrit duke u përpjekur të mbijetojnë për kafshatën që nuk kanë më as mundësi ta kenë. Në bashkinë e Maliqit mësohet se trajtohen me ndihmë ekonomike plot 850 familje.
Sipas kryetarit të bashkisë, Maliq Gëzim Topçiu, qeveria aktuale e ka lënë në një harresë gati të qëllimshme këtë qytet ndoshta dhe për arsyen e thjeshtë se banorët e tij votojnë majtas. Fakt, sipas Topçiut janë mungesa e investimeve dhe fondet minimale të qeverisë për këtë qytet që për të nuk ekziston.
Por teksa papunësia shtohet çdo ditë dhe disa kompani që premtonin punësim, kanë shpallur falimentin. Ndërsa papunësia bren Maliqin dhe familjet e tij, ish Kombinati i Sheqerit shpresa e tyre e fundit, është mbështjellë nga heshtja dhe ndryshku.
Kombinati që i dha famë maliqarëve funksionon në disa minifabrika të alkoolit dhe niseshtesë të cilat kanë reduktuar gjatë këtij viti në maksimum punonjësit, duke shkuar drejt mbylljes.
Të jetosh në varfëri nuk është gjithçka. Të jetosh me ankthin se si do t'i ushqesh fëmijët e tu është shumë e rëndë.
Kadri Belbi ngrihet herët në mëngjes për të gjetur një mundësi shpëtimi, por lista në dyqanin e lagjes është bërë shumë e gjatë.
Ai është dorëzuar, teksa 5 fëmijët e tij të vegjël siç tregon ai, kanë kohë që nuk shijojnë ëmbëlsirat të cilat i preferojnë aq shumë. "Unë me familjen time jetojmë me një ndihmë ekonomike shumë modeste të cilat nuk mjaftojnë për të shlyer faturën e energjisë. Për ushqime nuk di se si po mbajmë frymën.
Borxhet na shtohen çdo ditë por sikur të mos mjaftonte kjo gruaja ime vuan nga një sëmundje e rëndë e cila nuk mund të përballohet pa të holla. Duhet të kuptoni dhe ndjeni varfërinë time që po më shkatërron gjithçka", e mbyll prononcimin e tij 57- vjçari.
Argëtimi i vetëm, futbolli
Qyteti i Maliqit i krijuar mbas tharjes së kënetës së famshme, është bërë i njohur për prodhimin e sheqerit dhe Kombinatit gjithashtu. Sot 5 mijë banorë e tij të papunë dhe të pashpresë të vetmin argëtim kanë skuadrën e tyre të futbollit.
Ekipi modest i qytetit të Maliqit, prej vitit 2001 ndodhet në Kategorinë e Dytë, ndërsa mbetet ndër ekipet me të mira të kësaj kategorie duke mos ndryshuar statusin e tij. Në fakt skuadra e Maliqit, e cila mban të njëjtin emër, duket se ka zanafillën e saj mbas çlirimit, atëherë kur nisi të ngrihej qyteza e punëtorëve të kënetës dhe mandej e njehsuar me panxharin e sheqerit dhe produktit që vinte prej tij.
Ëmbëlsia e sheqerit, duket se është po kaq e madhe dhe për ekipin, i cili lufton, por dhe duartrokitet dhe mbështetet jashtëzakonisht nga tifozët e shumtë dhe të përhershëm të tij.
Qyteti i cili bëri histori gjatë viteve '50-të, atëherë kur është krijuar, duket se ka pasur gjithmonë një lidhje speciale me këtë sport masiv. Skuadra amatore e Kombinatit të Sheqerit është bërë e njohur aty nga vitet '70 kur ka nisur të konturohet, ndërsa gjithçka zbehet gjatë viteve '90. Ndryshimet e mëdha të sistemit shkatërruan dhe futbollin, pasionin e madh të maliqarëve, ndërkohë që gjithçka do të ringrihej mbas gati një dekade.
Njerëzit e qytezës që kishte humbur famën e saj, por dhe tokat tashmë djerrë të panxharit të sheqerit, duket se kishin dhe një motiv më tepër për të qënë pjesë e këtij qyteti. Ringritja e ekipit ka mrekulluar të gjithë, ndërsa merita natyrisht është e bashkisë së qytetit e cila për çdo vit akordon një fond prej 25 milion lekësh për këtë skuadër.
Dhe maliqarët e papunë dhe të braktisur nga qeveritë në varfërinë e tyre të pazakontë, i janë kthyer dashurisë së përjetshme të tyre, futbollit. Për ta ditët kur luhet në stadiumin e tyre të thjeshtë ndeshje futbolli, është një magji që sjell pak argëtim dhe shpresë gjithashtu.
Atmosfera futbollistike është nga më të bukurat në këtë qytet. Punëtorët e dikurshëm të Kombinatit të Sheqerit, apo dhe të atyre që kujdeseshin për panxharin e sheqerit, tashmë janë të lidhur shumë ngushtë me futbollin dhe kjo falë skuadrës së qytetit të tyre.
Duket se koha rrjedh ndryshe në Maliq, ndonëse qyteti është i pluhurosur nga harresa dhe industria e përpunimit të sheqerit ka mbetur vçse në kujtimet, por dhe në disa godina të vjetra mbushur me makineri të amortizuara, por kur është fjala për futboll qoftë dhe në Kategori të Dytë, njerëzit që rrisnin panxharin e sheqerit flasin dhe jetojnë ndryshe dhe më bukur gjithashtu.
Ky është Maliqi me maliqarët e tij që jetojnë në një botë kontrastesh. Kanë pasione, ëndërrojnë, shpresojnë dhe presin. Madje janë bërë njësh me varfërinë duke u zhytur në një humnerë të frikshme dhe vrasëse. Shteti... Mbetet një nocion që në këtë qytezë shumë pranë qytetit të serenatave, ka harruar për ekzistencën e tyre...