E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Vrasja e Fatmir Xhindit është politike

Kreu i grupit parlamentar të PS, akuza shtetit si i implikuar në vrasjen e deputetit socialist një vit më parë në Roskovec


Familja Xhindi i dërgon letër krerëve të shtetit dhe prokurores: Zbardhni vrasjen e Fatmirit


FIER- Vrasja e ish-deputetit Fatmir Xhindi është kryer për motive politike. Kështu është shprehur dje në Fier kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në një vjetorin e vrasjes së deputetit.


Ai dhe qindra banorë të Roskovecit janë mbledhur dje në shtëpinë e Xhindit për të përkujtuar vrasjen e tij. Ndërkohë familja ka hartuar edhe një letër të hapur, të cilën ia ka dërguar përfaqësuesve më të lartë të shtetit si dhe kryeprokurores Ina Rama.


Ruçi


"U bë një vit sot që miku ynë, vëllai ynë, pjesëtari i familjes tonë politike, babai i fëmijëve, bashkëshorti, djali i nënës, qytetari i Roskovecit dhe i gjithë Shqipërisë na ka lënë. Atë nuk e mori zoti, por e mori një dorë vrastare. Që sot e një vit pushteti i sotëm hesht". Kjo deklaratë është dhënë gjatë ceremonisë që u organizua në një- vjetorin e vrasjes së deputetit të PS-së në varrezat e fshatit Kurjan.


Gramoz Ruçi deklaroi se edhe grevistët e urisë në kryeqytet përveç vjedhjes së votave dhe gjendjes ekonomike, kanë në themel të kërkesave të tyre edhe zbardhjen e vrasjes së deputetit të parlamentit shqiptar.


Duke çuar lule në varrin e ish-kolegut, ai akuzoi qeverinë Berisha dhe shtetin për heshtjen dhe mos zbardhjen e autorëve të këtij krimi. "Pushteti i sotëm hesht, një shurdhim që flet, kjo vrasje ka një emër dhe ky emër është veçse, vrasje politike",- tha dje Gramoz Ruçi.


Familja


Nga ana tjetër, vëllai i deputetit Xhindi lexoi një letër të hapur drejtuar krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, presidentit Topi, kreut të parlamentit Topalli, kryeministrit Berisha , kryeprokurores Ina Rama, trupit diplomatik akredituar në vendin tonë, ku i kërkoi atyre zbardhjen e autorëve dhe rrethanave të ngjarjes. Ai tha se kjo heshtje 365 ditëshe detyron familjen të thotë se në këtë vrasje mund të ketë dorë edhe shteti.


"Kujtojmë një vit më parë deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit shqiptar, për zbardhjen e vrasjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve të këtij krimi makabër. Kujtojmë sot deklaratat e Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësuesve të politikës dhe ndihemi të zhgënjyer totalisht.


Asgjë nuk është bërë për të zbuluar të vërtetën. Kemi besuar tek shteti dhe institucionet e tij të drejtësisë. Kemi besuar tek ju i nderuar president, tek deklaratat tuaja kryeministër i Shqipërisë, tek impenjimi juaj zonja kryeparlamentare, tek drejtësia juaj zonja kryeprokurore", ka apeluar në letrën e hapur vëllai i deputetit të vrarë, Ilir Xhindi.


Sipas Ilir Xhindit, shteti ka dështuar për këtë vrasje. "Ne ndihemi moralisht të rënë dhe shpirtërisht të vrarë. Shteti ka dështuar plotësisht në zbardhjen e kësaj vrasjeje. Ndaj në këtë ditë që nuk ka vrarë vetëm njeriun, familjarin, qytetarin, por edhe parlamentin shqiptar dhe vetë shtetin".


Në fund letra e hapur apelon për drejtësi: "Ju bëjmë sërish apel. Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë një të drejtë legjitime në emër të familjes, në emër të bashkëqytetarëve dhe në emër të mijëra zgjedhësve të Fatmir Xhindit. Kërkojmë zbardhjen e vrasjes dhe autorët e saj, në të kundërt kjo heshtje, ky dështim do të në japë të drejtën të vëmë gishtin e të themi se vrasësi mund të jetë vetë shteti".


Ceremonia


Në ceremoni kanë marrë pjesë qindra qytetarë, të Roskovecit dhe me gjerë, kreu i asamblesë së PS Gramos Ruçi, drejtues të PS në qark dhe ne rreth, krerët e bashkive Fier dhe Roskovec, Baftjar Zeqaj dhe Ylli Kola etj. Në varrin e deputetit të vrarë u vendosën kurora me lule nga familjarët dhe të afërmit.


Fatmir Xhindi u vra një vit më parë në portën e shtëpisë së tij teksa kthehej pikërisht nga fshati Kurjan, pas një procesi pune rutine në tokën pronë të tij. Që prej asaj dite dhe deri më sot këtë vrasje e ka mbuluar misteri dhe heshtja e organeve të drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›