E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maliqi:Targat serbe do të konfiskohen

Ndërsa këto dy ditët e fundit ka rinisur vendosja masive e targave të reja të Serbisë në veri të Mitrovicës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi ka theksuar se policia do të vazhdoj të ndalojë çfarëdo iniciative e veprimi që është në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës, e në këtë rast do të bëhet edhe konfiskimi i targave serbe siç parashikon edhe vendimi i mëparshëm i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Në një intervistë për mediat kosovare Maliqi ka thënë se policia është vendosur që të luftoj krimin e kontrabandën në çdo pjesë te vendit dhe çfarëdo vendimi tjetër që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Ai në këtë rast ka kujtuar të gjithë se urdhri i ministrit Bajram Rexhepi për konfiskimin e targave të reja të Serbisë është ende në fuqi dhe si rrjedhojë automjetet nuk do të mund të qarkullojnë me ato targa brenda territorit të Kosovës.
Shefi i Policisë së Kosovës u ka bërë më dije të gjithë atyre që mendojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës se do të përballen fuqishëm me forcat e rendit.
Sipas tij, edhe pse në pjesën veriore përgjegjësi më të madhe ka misioni EULEX, në rastet kur rrezikohet jeta e qytetarëve njësitet e Policisë së Kosovës reagojnë pa leje të askujt dhe do të ndalojnë veprimet kriminale.
Kështu pas një urdhri të lëshuar nga i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç, janë vendosur në mënyrë masive targa të reja të Serbisë, nëpër automjete të ndryshme në pjesën veriore të vendit.
Në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit, mbi 180 serbë të Kosovës kanë pajisur automjetet e tyre me targa të reja të Serbisë, ndërkohë që Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kishte lëshuar një urdhër për konfiskimin e këtyre targave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›