E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malko: Në Elbasan kemi mundësi të shprehemi lirshëm

Nga Julian Kasapi

Trajneri i Lushnjës, Saimir Malko, e konsideron vendimtare transfertën e kësaj jave dhe beson se do ta kalojë me sukses

Futbollistët lushnjarë, ende pa u shuar entuziazmi në qytetin  myzeqar për fitoren e bukur me Luftëtarin në stadiumin Roza Haxhiu, kanë nisur punën për ndeshjen e radhës. E diela ka qenë e vetmja ditë e qetë për futbollistët dhe stafin teknik të Lushnjës, kurse të hënën ata kanë zbritur në fushë me angazhim maksimal. Para seancës së parë është zhvilluar një analizë për ndeshjen e fundit, duke u përqendruar tek ato gjëra nuk funksionuan dhe  sigurisht që do të punohet gjatë javës për eleminimin e tyre.

Mungesat Për ndeshjen e radhës, që ashtu si ajo që shkoi është një finale me vete, stafi teknik do të ketë dy mungesa të rëndësishme. Në transfertën e Elbasanit nuk mund të aktivizohen dy mesfushorë: Alban Byzhyti, i dëmtuar në kavilje gjatë ndeshjes me Luftëtarin, dhe Renato Sula, i ndëshkuar me karton të kuq.

Malko Kemi nisur punën për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme për ne, thekson trajneri i Lushnjës, Sajmir Malko, i cili më tej shton: Na ka gëzuar pa masë fitorja në fushën tonë me Luftëtarin kryesues, por, ashtu si çdo fitore tjetër, e kemi lënë që ditën e shtunë dhe që të hënën po mendojmë vetëm për sfidën e radhës. Ishte një fitore mjaft e bukur, që ua kemi dedikuar atyre mijëra tifozëve fantastikë që ka skuadra jonë.

Elbasani Elbasani është një nga skuadrat pretendente për superligën, edhe pse është disi prapa me pikë. Stafi teknik i Lushnjës e njeh kundërshtarin e javës së 22-të dhe po punon me kujdes për të gjetur formacionin e duhur. Të gjithë e njohim Elbasanin, që është një skuadër me shumë vlera. E rëndësishme është se do të luajmë në një fushë, ku mund të shprehemi lirshëm.

Elbasani dhe Lushnja kanë tradita në futboll dhe mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft e bukur. Ne do të punojmë për të qenë sa më mirë në këtë sfidë, duke korrigjuar ndonjë gabim të vogël që kemi bërë me Luftëtarin. Për ne dihet që është ndeshje delikate dhe duhet ta kalojmë me sukses. Në të kundërt, vështirësohet shumë realizimi i objektivit, – e ka mbyllur fjalën e tij trajneri Malko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›