E Diel, 1 Nëntor 2026

KEK’u bojkoton kupën sherri i gjyqtarëve

Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Hysi është ekipi i parë që është kualifikuar në gjysmëfinale, pasi kundërshtari çerekfinalist i tij, KEK-u nuk do të udhëtojë fare drejt Merdarës për ta zhvilluar këtë ndeshje.

Këtë vendim e ka marrë kryesia e ‘Elektricistëve’ në shenjë proteste ndaj gjyqtarëve, për të cilët thonë se vazhdimisht po ua dëmtojnë skuadrën e tyre gjatë ndarjes së drejtësisë në ndeshjet kampionale.

“Jo, përfundimisht kemi heq dorë nga garat e kupës, pasi gjyqtarët po na dëmtojnë jashtëzakonisht shumë dhe ndaj tyre askush nuk po ndërmerr masa. E kjo po i kushton shumë ekipit tonë”, deklaroi për Express kryetari i KEK-ut, Istref Klinaku.

Madje, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta tërheqë ekipin e tij edhe nga garat kampionale për të njëjtat arsye. “Për këtë do të vendosim në ditët në vijim. Ne i kemi rreth 300 apo 400 tifozë të rregullt dhe atyre ka nis t’u humbasë durimi nga dëmtimet që po i shkaktojnë gjyqtarët klubit të tyre. Andaj, për t’i shmangur shfaqjes eventuale të dhunës në stadiumin tonë jemi duke e shqyrtuar mundësinë e tërheqjes edhe nga garat kampionale”, theksoi Klinaku.

Si do qoftë, të mërkurën do të zhvillohen tri ndeshjet tjera çerekfinale të kupës. Dy kandidatët për titull të kampionit, Prishtina e Trepça ’89 do të përpiqen të shënojnë fitore si mysafirë të Istogut, respektivisht Ramiz Sadikut, për t’iu bashkuar Hysit në gjysmëfinale. Ndërsa, në Drenas, Feronikeli do të përballet me Ferizajn. Ndeshjet zhvillohen me sistem eliminimi dhe ato fillojnë në orën 15:00.

Kupa e Kosovës - Ndeshjet çerekfinale

E mërkurë

Feronikeli – Ferizaj 15:00

Istogu – Prishtina 15:00

R. Sadiku – Trepça ’89 15:00

Hysi – KEK’u 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›