E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK kërcënon huliganët

Federata e Futbollit do t’i ‘tregojë dhëmbët’, pas incidenteve që ndodhën në fundjavë në futbollin kosovar. Nënkryetari Bekim Haxhiu thotë se, nëse është nevoja, pjesa e mbetur e kampionatit do të zhvillohet pa shikues. Një tjetër opsion është kontrollimi në detaje i çdo shikuesi që futet në stadium.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq pas incidenteve që ndodhën në fundjavë, ku në ndeshjen Gjilani – Hysi u sulmua fizikisht nga huliganët gjyqtari anësor Erduan Baliqi.

Nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, insiston se shtëpia e futbollit kosovar do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj huliganëve dhe do të shqiptojë dënime të ashpra ndaj klubeve, në mënyrë që të paktën të minimizohen këto raste.

“Këtë javë do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv dhe do të bisedojmë për këtë çështje. Nëse është nevoja, edicioni do të vazhdojë pa shikues. Huliganët do t’ua humbin të drejtën edhe shikuesve që t’i përcjellin ndeshjet në stadium, kështu që mund t’i shikojnë vetëm përmes televizorit”, deklaroi Haxhiu për Express.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të mblidhet të enjten, ku do të dalë me qëndrime më të qarta. Nga kjo mbledhje do të dalin edhe disa sugjerime për klubet.

“Klubet do të jenë të obligueshme që në hyrje të stadiumeve t’i kontrollojnë të gjithë shikuesit, nëse kanë mjete të forta apo armë. Secili klub duhet të jetë i pajisur me detektor, që ta bëjë një gjë të tillë”, vijoi ai.

Haxhiu mendon se mungesa e një sistemi të drejtësisë funksional po ndikon të mos merren sanksionet e duhura për huliganët. Ai kërkon që drejtësia të merret më seriozisht me këta njerëz, të cilët në vitet e pasluftës janë motivuar të ndërmarrin ‘aksione’ të tilla pasi nuk janë dënuar.

Ai kërkoi edhe nga policia që të jetë më aktive, pasi që e ka detyrë kushtetuese që t’i sigurojë ndeshjet zyrtare, pasi një gjë të tillë e ka për obligim.

Huliganizmi, vepër penale

Haxhiu njëherësh është edhe deputet në Parlamentin e Kosovës. Ai njihet si njëri prej deputetëve që e ka ngritur më së shumti zërin pas luftës, kur bëhet fjalë për sportin.

“Në Kodin e ri Penal unë kam propozuar që huliganizmi të konsiderohet si vepër penale dhe të dënohet. Shpresoj që kjo ide ta marrë edhe aprovimin e deputetëve tjerë”, tha në fund Haxhiu paralajmëroi se gjatë javës ata që e prishën fundjavën sportive, do të marrin dënime maksimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›