E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malli i Lizës...

06/03/2009  Nëse do të donte të dëgjonte qoftë edhe një këngë nga ato dhjetëra që ka interpretuar dikur në Radio Tirana, askush nuk do të mund t’ia plotësonte dëshirën. Asnjë fragment zëri nuk gjendet i regjistruar, ashtu si nuk është i fiksuar në ndonjë kasetë as roli i saj i Marës te “Përmbytja e madhe”

Nuk e ka të lehtë të flasë. Kujtimet ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe ngjarjet i rrëfen jo kronologjikisht, por sipas trilleve të kujtesës. Malli ndihet edhe në atë hapësirën e dhomës, ku ndodhen vazot me lulet e saj të dashura. Edhe në buzëkuqin që i ka shkuar buzëve dhe në sytë blu. Gjithçka duket se ka ndalur dhe koha nuk rrjedh më në udhën e saj të zakonshme. Por, në fund të fundit, Liza Vorfi nuk ka qenë asnjëherë e zakonshme. Në një kohë kur gratë burrëroheshin në veshje e sjellje, ajo shfaqej më femër se kurrë, me një finesë të lindur e ngulm të kërkuar. Sepse Liza ka qenë gjithmonë artistja e bukur e me sqimë. Tani ndihet një lloj zhgënjimi në fjalët që shkëput. Një brengë që lind edhe me moshën, por në këtë rast jo vetëm.

Edhe sot këndon, madje shpesh nipërit e mbesat, kur ia merr ndonjë vargu që e do, thonë: “Kjo është ora e këngës së nënë Lizës.” Por, nëse do të donte të dëgjonte qoftë edhe një këngë nga ato dhjetëra që ka interpretuar dikur në Radio Tirana, askush nuk do të mund t’ia plotësonte dëshirën. Asnjë fragment zëri nuk gjendet i regjistruar, ashtu si nuk është i fiksuar në ndonjë kasetë as roli i saj i Marës te “Përmbytja e madhe”. Porse aktorja ka të regjistruar në kujtesë edhe një varg mundimesh. Por edhe kujtimesh ëndërrtare, kur ishte ende e re dhe kur regjisorët e njohur të kohës e kërkonin me dëshirë për rolet e tyre. Sjell ndër mend se roli i saj i parë si aktore ishte në vitin 1945 me pjesën “Xhido”, vënë në skenë nga regjisori jugosllav Bozha Nikoliç, personalitet i teatrit dhe kinematografisë. “Je një aktore ndërkombëtare”, - kështu do ta vlerësonte Nikoliç bukuroshen Liza. Madje, ajo thekson se regjisori jugosllav kërkoi nga Ministria e Arsimit që ta lejonin të inkuadrohej në teatrin e Beogradit. Sejfulla Malëshova, ish-ministër kulture i asaj kohe, dha përgjigjen: “Nuk mund ta japim, pasi Liza është aktorja më e mirë që kemi.” “Edhe babai nuk ishte dakord të interpretoja për kinematografinë jugosllave”, - thotë Liza. Por roli që për të gjithë dhe për vetë Lizën mbetet i paharruar, është Dezdemona. Në enciklopedinë sovjetike të kohës figuron emri i Loro Kovaçit dhe Liza Vorfit në rolet kryesore (Otello -Dezdemona) si interpretim i parë i tragjedisë shekspiriane në Shqipëri. “Duke parë interpretimin tim te “Zëri i Amerikës” (1951), regjisori sovjetik Andrei Ivanoviç Kriçko (Artist i merituar) nuk hezitoi të më besonte rolin e Dezdemonës. Përgjegjësia ime ishte shumë e madhe”, - rrëfen artistja, duke vijuar se Dezdemona është njëkohësisht edhe roli që e ka lodhur më shumë. “Kisha vajzën e dytë disamuajshe dhe isha e dobësuar dhe mjaft e lodhur. Kam interpretuar edhe me temperaturë të lartë, pasi pjesa duhej të mbaronte në kohë e s’mund ta lija pa punë gjithë trupën...” Pas tragjedisë “Otelloja” Liza do të ishte pjesë e programeve të regjisorëve më të njohur të kohës (jugosllavë, rusë dhe shqiptarë), që i besuan rolet e para të autorëve më të mëdhenj. Numërohen mbi 80 role të saj në teatër e kinematografi. Ndërkohë roli i fundit i artistes është ai i Marës te “Përmbytja e madhe” e Kol Jakovës. “Jam ndier sikur të isha Mara vetë... Më e pabesueshme ka qenë kur shkuam në Prishtinë. Spektatorët qanin në sallë, ndërkohë unë s’përmbahesha në skenë. Më vinte edhe turp, po kur njeriu përpiqet të përmbajë veten, ndodh edhe më keq, kalon në ekstrem.” E cilësuar shpesh me epitetin “Liza e klasicizmit”, ajo vetë pohon se rolet e saj janë shumë të larmishme. “Unë kam luajtur edhe nënën e Shkurte Pal Vatës, ku nuk kishte fare klasicitet. Ajo është thjesht një grua malësore. Po kështu Mara te “Përmbytja e madhe” ose Marta te “Cuca e maleve”. Këto role grash s’kanë asgjë të përbashkët me Elmirën e “Tartufit” apo Dezdemonën e Shekspirit. Janë krejt tjetër gjë. Figurën e malësores e kam për zemër, se edhe unë jam gege, jam e atyre anëve dhe i njoh mirë. Unë kam thënë se s’dua të vdes pa luajtur nënën kosovare, atë nënë që ka parë fëmijët e vet të helmuar. Ka parë djalin, vëllanë, shokun, mikun të sakatuar e që ka provuar drama të rënda në jetë”, - shprehet. Nuk e ka të lehtë të mbajë lotët, ndaj e ndërpret shpesh rrëfimin e mes fjalëve kujton shpesh miq e kolegë, disa prej të cilëve i ka dashur vërtet shumë. Një dhembje për të është Naim Frashëri, aktori i mirënjohur, të cilën Vorfi e përmend herë pas here, vdekja e të cilit i ka mbetur peng në zemër. Kur jeta largohet pak nga pak, ndodh që rrëfimet të lidhen më së shumti me largime, ndaj një peng tjetër i saj lidhet me kohën kur e urdhëruan të dilte në pension në moshën 50-vjeçare, edhe pse nuk e dëshironte një gjë të tillë. “Unë do të dal në pension, - u thashë drejtuesve të kohës, - por do ta bëj këtë me dhembje. Shpresoj të paktën që meritat për punën time t’i marr pas vdekjes”, - tregon Vorfi, që shton se edhe sot me zor gjen ndonjë foto të sajën në hollin e Teatrit Kombëtar. “Fotot e mia janë djegur, janë hequr e shkatërruar”, - komenton. Ndërkohë që dhënia e Urdhrit “Naim Frashëri” vetëm disa muaj më parë, në korrik 2008, duket se pak e përkëdhel dhe lajkaton artisten 87-vjeçare.

Role

Elmira tek “Tartufi”, Beatrisa te “Shërbëtori i dy zotnive”, Dezdemona tek “Otelloja”, aktorja te “Hamleti”, Martirio te “Shtëpia e Berndarda Albës”, Julia Shevicova te “Morali i zonjës Dulska”, Dorina te “Borgjezi fisnik”, Dona Luçia te “Karnavalet e Korçës”, Marta te “Cuca e maleve”, Mara te “Përmbytja e madhe” etj.

Në film: “Furtuna” (1959), “Debatiku” (1961), “Komisari i dritës” (1966), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Ata ishin katër” (1977), “Ne vinim nga lufta” (1978), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989).

Biografi...

Liza Vorfi bën pjesë në atë plejadë aktorësh që vunë themelet dhe krijuan fizionominë dhe traditën e Teatrit Kombëtar. Lindur më 29 nëntor 1922 në një familje të mesme qytetare në Gjakovë, i ati i Lizës, Ndue Vorfi, ishte mësues i gjuhës shqipe, ndërsa e ëma, Katerina, shtëpiake.

Në vitin 1924 familja transferohet në Shkup (Maqedoni). Arsyet dihen: populli i Kosovës shtypej e dhunohej nga serbët. Si rrjedhojë, ata mbyllën edhe shkollat e gjuhës shqipe. Në Shkup familja u vendos fillimisht në familjen e Nënë Terezës, derisa ndërtuan shtëpinë e tyre. Nga ajo kohë Liza kujton se si Nënë Tereza e përkundte në krahët e saj... “Këtu babai e zhvillonte aktivitetin e tij në famulli (kishë). Qëndruam në Shkup deri në vitin 1932 dhe si pasojë e përndjekjes serbe u detyruan të kalonin matanë kufirit, në Shqipëri.” Në moshën 6-vjeçare Liza filloi shkollën në kolegjin francez të Shkupit. Që atëherë u shfaq talenti i saj si kërcimtare, por më vonë u vu re edhe zëri i saj i bukur. “Merrja pjesë si kërcimtare dhe si këngëtare (soliste) në çdo festë që organizonte kolegji, ku më jepnin gjithmonë fletëlavdërimi”, - kujton Liza.

E kujton me shqetësim kohën kur serbët donin t’ia mbytnin babën. Në vitin 1933 regjistrohet në institutin femëror “Nana mbretneshë” në Tiranë, ku studioi deri në vitin 1940. Gjatë këtyre viteve te Liza spikat edhe prirja për pikturë. “Por këngën dhe baletin i kisha më për zemër”, - vëren ajo. Në këta vjet ajo frekuentoi edhe shtëpinë e murgeshave në rrugën e Durrësit. Këtu zë fill realisht edhe rruga e artit si këngëtare. Ishte rreth 16-vjeçe kur në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia këndon për herë të parë në mikrofonin e Radio Tiranës. Kujton se për herë të parë ka kënduar këngën “Si dukat i vogël”, këngë që mbeti në kujtesën e dëgjuesve të radios si “kënga e Liza Vorfit”. Më vonë në repertorin e saj do të numëroheshin shumë këngë të tjera shkodrane e kosovare, si “Ani, mora me pre mollën”, “Dimite sharli” etj. Në vitin 1940, për talentin dhe zërin e saj, fitoi bursë nga shteti për të studiuar kanto në Itali. Fillimisht shkoi në konservatorin e Romës, ku përveç kantos studioi edhe balet. Pas kësaj studioi kanto edhe për dy vjet të tjerë në konservatorin “Giaocomo Rossini” të Pezaros. Së bashku me të ishin për studime edhe artistë të tjerë, si Behije Çela, Hysen Pelingu, Islam Petrela dhe Kristaq Antoniu. Për të është ende emocionues çasti kur gjatë studimeve në Itali i kërkuan të aktivizohej në Cinecita të Romës si artiste filmash, ofertë që mbeti e tillë. “Babai, pasi falënderoi përfaqësuesit e Cinecita-së, tha: «Liza më parë duhet të mbarojë studimet, pastaj të vendosë për fatin e saj»”. Me kapitullimin e Italisë në fund të 1943-it, i gjithë grupi kthehet në Tiranë. “Më telegrafoi im atë që të kthehesha. Shpejtuam të ktheheshim, se kishim edhe frikë. Ishim vetëm dy vajza atje. Jemi kthyer menjëherë. Lashë edhe librat e mia në Pezaro...” Pas kthimit nga Italia drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, e fton të punojë në radio. Këtu perfeksionon interpretimin e këngës popullore. Fatkeqësisht, sot nga këto incizime të saj në radio nuk ka mbetur asgjë. Megjithatë, emri i saj renditet krahas emrave të njohur të atyre viteve, si Jorgjie Truja, Tefta Tashko, Marie Kraja etj. Veç këngës u aktivizua edhe me një grup të krijuar në radio, që jepte pjesë dramash, “Orë gazmore”, drejtuar nga humoristi Pjetër Gjini. E aktivizuar që në vitet e luftës në pjesë të ndryshme skenike që jepeshin në kinemanë “Nacional” apo kinoteatrin “Kosova” (më pas godinë e Teatrit të Shtetit). “Doktor pa dashke”, “Fshatari zotni”, “Njeriu që pa vdekjen me sy” etj. janë inskenuar nga ata që do të ishin më vonë themeluesit e teatrit. Këto iniciativa përbënin edhe inskenimet e para private në kryeqytet. Pas çlirimit, më 1945, me krijimin e Teatrit Profesionist të Shtetit, drejtori i teatrit, Xhemal Broja, e fton Lizën të punonte si aktorë e parë. “Të parat femra ishim unë e Behija, që nuk refuzuam, përkundrazi, pranuam me kënaqësi të madhe”, - pohon Vorfi. Në interpretimin e saj kanë ardhur karaktere të shumëllojshme, që nga gruaja malësore deri tek aristokratja e salloneve mondane.

Jeta personale

Vuajtjet e saj filluan që kur të fejuarin e saj, Emil Shiroka, e futën në burg (1947). Ishin njohur dhe dashuruar vetë, ndaj Liza do ta priste, duke besuar në pafajësinë e tij. Në këtë kohë pushohet për herë të parë nga puna. Pas rreth një viti në hetuesi, i shoqi del nga burgu i pafajshëm, por i paralizuar dhe i shkatërruar nga sistemi nervor. Me gjithë presionet e shumta e të gjithanshme, Liza vendos të martohet me të. Por burgu dhe hetuesia kishin lënë gjurmët e veta dhe Emili nuk do të ishte më i pari. Në vitin 1951 ngjarjet e ambasadës sovjetike bënë që Liza të pushohej nga puna për herë të dytë. Edhe martesa e saj nuk shkon gjatë. Pas shtatë vjetësh durimi, ajo kërkon divorcin në vitin 1957, megjithëse me tre fëmijë të vegjël. Prej kësaj kohe, për vite të tëra Liza qëndroi dhe jetoi në familjen e të atit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›