E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Kroaci, brenda vitit 2009 hiqen vizat

05/03/2009  Sanader optimist për gazsjellësin Trans Adriatik

Kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si një arritje historike dhe kulmore për të dyja vendet. “Besoj se ne do të kapërcejmë së shpejti problemet aktuale dhe do të festojmë së bashku 60-vjetorin e NATO-s dhe anëtarësimin tonë me të drejta të plota në këtë aleancë. Pas kësaj arritjeje do të jetë edhe më e lehtë rruga drejt Bashkimit Evropian”, - tha kryeministri kroat. Këto vlerësime ai i bëri gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila po zhvillon një vizitë në Kroaci e shoqëruar nga deputetët Pandeli Majko dhe Ferdinand Xhaferri. Lidhur me çështjen e regjimit të vizave kryeministri Sanader konfirmoi se Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. “Kjo do të sillte jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkëmbimeve tregtare etj. Është objektiv yni politik dhe do të realizojmë”, - theksoi ai. Por gjithashtu kreu i qeverisë kroate u shpreh i vendosur edhe për realizimin e shtrirjes së gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. “Kemi përcaktuar takime të ministrave të energjetikës në Ankara e më pas edhe në Shqipëri dhe jemi optimistë se ky projekt madhor në fushën e energjetikës do të konkretizohet shumë shpejt”, - tha Sanader. Më tej biseda mes kryeministrit kroat dhe kryeparlamentares Topalli u fokusua edhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, kur për të dy vendet do të hapet një epokë e re me sfida dhe përgjegjësi të reja. Gjatë vizitës në Kroaci delegacioni shqiptar ka zhvilluar takime me autoritetet më të larta kroate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›