Mallrat e ndaluara shitën “ilegalisht”

Nga: Fatos Shala
Produktet e ndaluara qarkullojë e shitën në Kosovë pa u vërejtur nga askush. Mallrat me mbishkrimin UNMIK/Kosovo edhe pse janë ndaluar për tregun e Kosovës në qershor të vitit te kaluar, ato mund të gjinden ende nëpër marketet e vendit tonë.
Indeksonline ka hasur në një produkt të tillë, ku kompania importuese është munduar në mënyrë “mjeshtërore” ta fshehë atë.
Në një pako më shkopinjtë (shtapiqa) të importuara nga Serbia për në Kosovë nga kompania “Buçaj”, vërehet se mbishkrimi në të është UNMIK/Kosovo. Por, kjo kompani mbishkrimin e ka mbuluar më një mbishkrim tjetër. Ky fakt shihet edhe në fotografitë që ka bërë Indeksonline.
Indeksonline ka bërë përpjekje që të kontaktoj edhe me kompaninë “Buçaj” për ketë çeshite, por kjo ka qenë e pa mundur.
Edhe pse këso produkte mund të gjenden shumë lehtë, për çudi Inspektoriati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Dogana e Kosovës kurrë nuk ka hasur në një te tillë. Këtë fakt e kanë pranuar edhe vetë zyrtarë të këtyre dy Institucioneve.
Këshilltarja për Media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi ka thënë për Indeksonline se nga qershori i vitit te kaluar e deri tani, inspektoriati i kësaj Ministrie nuk ka gjetur asnjë produkt me ketë mbishkrim.
“Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht i Inspektoratit të Tregut i nxjerr në muajin qershor të vitit 2012, për ndalimin e importit dhe qarkullimit të produkteve në tregun e brendshëm me mbishkrimin UNMIK/Kosovo, nga inspektimet e tregut është duke u zbatuar nga ana subjekteve ekonomike dhe deri me tani nuk kemi hasur në raste të mos respektimit të vendimit të cekur më lartë”, ka thënë Istrefi.
Ajo tutje ka treguar se në rast se gjinden këto produkte në tregun e Kosovës do të gjobitet kompania që mbanë atë. Mirëpo, Istrefi nuk ka treguar se a është gjobitur ndonjë kompani deri tani.
“Në rast se produkte të tilla gjinden të vendosura në qarkullim në tregun e brendshëm, inspektoret e tregut janë të obliguar që produktet tilla t'i ndalojnë nga qarkullimi dhe ndaj subjekteve të cilat kanë vendosur produkte të tilla me mbishkrimin UNMIK/Kosovo të merren masa ligjore”, është shprehur këshilltarja Istrefi.
Edhe zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë thënë se nuk kanë parë deri tani produktet të tilla. Mirëpo, kanë siguruar se nëse hasin në një të tillë do ta lajmërojnë menjëherë inspektoratin e MTI-së.
"Dogana e Kosovës neper të gjitha vendkalimet kufitare komerciale aplikon procedurat e kontrollit të mallrave të cilat i nënshtrohen procedurës se zhdoganimit, të gjitha pikat kufitare kane obligim që në rastin gjejmë produkte me mbishkrime të tillë atë lajmërojnë MTI, respektivisht inspektoratin e tregut. Dogana e Kosovës kontrollim e mallrave e bazon ne praktikat ndërkombëtare ku të gjitha kontrollet bëhen në bazë të analizave te riskut ", ka thënë për Indeksonline Adriatik Stavileci zyrtar për informim në Dogana.
Ndalimi i mallrave me mbishkrimin UNMIK/Kosovo ishte bërë me datën 1 qershor të vitit të kaluar. Në atë kohë ishte thënë se subjekte që nuk e respektojnë këtë vendim do të gjobitet me nga 2 mijë deri në 10 mijë euro.
Për këtë çështje, patën reaguar edhe asociacionet ekonomike në vend, duke apeluar te të gjithë përfaqësuesit kosovarë të kompanive serbe që importojnë produkte nga Serbia, të mos pranojnë veprime të tilla të kundërligjshme./Indeksonline/