E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Qeveri teknike para zgjedhjeve

Një Qeveri teknike që do të organizojë zgjedhjet lokale të marsit të këtij viti, është kërkesa e opozitës maqedonase.

Ky do të jetë kushti i bllokut opozitar maqedonas për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të marsit.

Propozimi për Qeveri teknike muaj më parë ishte bërë nga partia shqiptare Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), por e cila kishte kushte tjera për të zhbllokuar proceset evrointegruese dhe për të zgjidhur kontestin e emrit, që më pas të organizoheshin zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni.

Partitë e maxhorancës nuk kanë komentuar propozimin e opozitës, që do të zyrtarizohet javën tjetër pas festave të pashkëve ortodoks. “Ky regjim i Gruevskit nuk ka kredibilitet për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike, andaj kërkojmë formimin e një qeverie teknike, me ekspertë apo çfarëdo lloj qeverie tjetër me mandat për të organizuar zgjedhje të lira”, theksoi për gazetën “Vest”, një zyrtar i LSDM-së, duke shtuar se funksionarët e partisë së tyre nuk do të jenë pjesë e qeverisë teknike të përkohshme.

PDSH ka akuzuar RDK se po vepron në përputhje me veprimet e opozitës maqedonase, pasi që dy deputetët e kësaj partie shqiptare po bojkotojnë Parlamentin. Por, nga ana tjetër, RDK ka hedhur poshtë zërat e tillë, duke theksuar se nuk qëndrojnë në harmoni me asnjë parti maqedonase, pasi që edhe VMRO-DPMNE, por edhe LSDM janë të njëjta kur bëhet fjalë për çështjet e shqiptarëve, raporton INA. 

RDK thekson se ideja e tyre daton disa muaj më parë dhe se propozimi për Qeveri teknike ishte kundërshtuar nga vetë lideri i LSDM, Branko Cërvenkovski në periudhën e bashkëpunimit midis LSDM dhe PDSH.

Bashkësia ndërkombëtare po ndjek zhvillimet në Maqedoni, duke apeluar për uljen e tensioneve dhe kontradiktave midis forcave politike dhe zgjidhjen e tyre përmes dialogut politik dhe rrugës demokratike./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›