Nikoliq as si president e as kur ishte në opozitë, s’e vizitoi Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka thënë se është i revoltuar pse EULEX-i nuk e ka lejuar t’i festojë Krishtlindjet ortodokse në Graçanicë, edhe pse me në kohë e ka parashtruar kërkesën.
Sipas tij, EULEX-i edhe një herë ka dëshmuar se në aspektin e statusin nuk është neutral, por se vepron ashtu si i thotë Prishtina, transmeton RTK.
“Nuk do të shkoj për Krishtlindje në Graçanicë. Nuk dua që Prishtina të vendosë se a mund të shkoj a jo në Kosovën tonë. Është e qartë se EULEX-i pret që autoritetet në Prishtinë ta japin lejen për këtë”, ka thënë Nikoliqi për mediat serbe. Ai ka thënë se mu për këtë do ta ndryshon qëndrimin e tij ndaj misionit të EULEX-it, si dhe ndaj Brukselit.
“Nuk më lejuan të shkoj në Kosovë kur isha përfaqësues i opozitës, e nuk më lejojnë as tash, kur jam president i Serbisë”, deklaroi Nikoliqi.
E Misioni i BE-së në Kosovë - EULEX, nuk gjendet në zinxhirin e vendimmarrjes që të miratojë ose të refuzojë hyrjen në Kosovë. ”Kërkesa për hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë i dërgohet përfaqësuesit special të BE-së në Beograd pastaj zyra e përfaqësuesit të BE-së në Prishtinë ia përcjellë atë Qeverisë së Kosovës. Edhe përgjigja merret ne të njëjtën mënyrë”, ka thënë zëdhënësja Irena Gudeljeviq. Sipas saj, EULEX-i vetëm duhet te informohet për këtë çështje.
Institucionet e Kosovës i janë përgjigjur negativisht kërkesës së presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq për ta vizituar Kosovën gjatë Krishtlindjeve ortodokse.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thënë RTK-së se kërkesa u refuzua me arsyetimin se vizita të liderëve serb mund të ndodhin vetëm në bazë të reciprocitetit, pra kur edhe liderët e institucioneve të Kosovës të lejohen të vizitojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Ky vendim, sipas tij, është marrë edhe pas konsultimeve më partnerët ndërkombëtarë. Kërkesa për vizitë ishte adresuar nga presidenti serb, fillimisht në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe e njëjta iu është përcjell autoriteteve të Kosovës që dhanë përgjigje negative./Indeksonline/