“E vrava se më dhunonte nënën”

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, me kërkesë të organit të akuzës, vendosi izolimin në qeli të nën masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e forcave komando, Aldo Morina. Ai akuzohet për vrasjen e taksistit Mehmet Beqiri. Gjyqtari Ardian Kalia pranoi kërkesën e prokurorit Etien Kapo për izolimin e ushtarit Morina, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” të taksistit Beqiri.
Ndërkohë, edhe pse nuk pranoi kërkesën e avokatit Agron Bajri për lirimin nga burgu, gjyqtari Kalia administroi në dosje një sërë vlerësimesh dhe medalje të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes e forcat ndërkombëtare për ushtarin e forcave komando Aldo Morina. Sipas shkresave të dorëzuara në gjyq, komandoja Morina kishte marrë pjesë në dy misione paqeruajtëse në Afganistan dhe në qershor do të shkonte në Irak.
Hetimi
Sipas hetimit paraprak të kryer nga prokuroria, dyshohet se Morina ka vrarë Beqirin pas një debati të shkurtër të ndodhur pranë rrethimit të Spitalit të Pediatrisë, ku nëna e autorit punonte si infermiere. Pas shkëmbimit të fjalëve fyese mes tyre, Morina ka nxjerrë pistoletën e punës dhe e ka qëlluar taksistin Beqiri duke e lënë të vrarë.
Pas vrasjes, Morina është vetëdorëzuar në komandën drejtuese të repartit ushtarak të forcave komando së bashku me armën e krimit. Nga ana tjetër, policia në makinën e taksistit ka gjetur dhe sekuestruar një thikë të madhe, me të cilën dyshohet se viktima e kishte kërcënuar autorin Morina dhe nënën e tij. Vet autori nuk pranoi të japë shpjegime të hollësishme për ngjarjen, duke pranuar se krimin e kishte bërë në gjendje të rëndë psikologjike, pasi kishte parë viktimën duke i dhunuar nënën e tij, shkruan "Shekulli".
Edhe avokati Bajri u shpreh se klienti i tij, ka kryer vrasjen në kushtet e tronditjes së thellë psikike pasi kishte kërkuar nga viktima të mos e dhunonte dhe kërcënonte nënën e tij, me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore. /Indeksonline/