E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallrat serbe po zëvendësohen pa probleme

Ministri i i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, tha se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë është duke u zbatuar në mënyrë strikte.

Me këtë rast, ministri Beqaj ka takuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemal Mustafa, ka vizituar Ujësjellësin Rajonal dhe kompaninë private për prodhimin e pajisjeve të metalit “Megi”.

Ministri Beqaj tha se qëllimi i kësaj vizite në Gjilan ishte të njihet me konceptet zhvillimore të kësaj komune në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm pas vendimit të qeverisë për vënien e reciprocitetit për t’u përkujdesur për furnizimin me mallrat e domosdoshme, kualitative dhe për të shikuar eventualisht ndonjë tendencë për keqpërdorim të situatës që mund të na rrjedh qoftë nga ndërmarrjet vendore por edhe në nivel rajonal.

“Procesi i zëvendësimit të produkteve të importuara nga Serbia po shkon jashtëzakonisht mirë dhe ka ndërmarrje kosovare që po krijojnë partneritet me ndërmarrje në nivel rajonal dhe kjo po tregon që ndërmarrësit tanë janë shumë fleksibil dhe janë shumë të përgjegjshëm për situatën e krijuar, duke treguar një bashkëpunim të jashtëzakonisht të mirë”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i Gjilanit, Qemal Mustafa, ka thënë se me ministrin Beqaj ka biseduar për gjendjen aktuale pas vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë dhe rolin e pushtetit lokal në zhvillimin ekonomik të vendit.
Vizita e ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjilanit bëhet në kuadër të vizitave që Beqaj po zhvillon në qendrat komunale për tu njohur nga afër me gjendjen aktuale dhe orientimet e tyre të zhvillimit ekonomik. /Start/

                                                                                             2011-08-11 17:03
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›