E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malmo qan largimin e Mehmetit

Agon Mehmeti ka paralajmëruar të martën largimin nga Malmo, pasi që dëshiron të luajë në një kampionat më të fortë. Ndërkohë, edhe drejtuesit e Malmos janë pajtuar me këtë fakt.

Por, në anën tjetër, qyteti i Malmos po ‘vajton’ për largimin e Agon Mehmetit. Futbollisti kosovar ishte bërë njëri prej lojtarëve më të dashur të këtij qyteti me golat që kishte shënuar, por edhe për personalitetin e tij jashtë fushës.

22 vjeçari i ishte bashkuar Malmos në vitin 2001. Tash ky ekip është i trishtuar që do të mbetet pa Agonin, që pa dyshim është një njeri i rëndësishëm për këtë ekip, edhe pse sezoni i fundit nuk ishte prej më të mirëve.

“Nganjëherë nuk është e lehtë të shpjegohet se çfarë vendi të rëndësishëm dhe të veçantë zënë disa lojtarë në zemrat e njerëzve. Personalisht, mendoj se pjesa më e madhe e njerëzve do ta ndiejnë këtë emocion. Agoni ishte gëzimi, frustrimi dhe njeriu që kishte kurajo ta shfaqte atë që e ndiente. Këto veçori e kanë bërë ndër më të dashurit nga tifozët. Edhe pse ka marrë kritika për paraqitjet e këtij sezoni, ai gjithmonë ka qenë i dashur për tifozët”, thotë gazetari nga qyteti i Malmos, Max Wiman.

Vite më parë, tifozët e Malmos ia kishin kushtuar edhe një këngë përfaqësuesit U-21 të Suedisë. “I hollë si një ngjalë, por ai shënon gola”, këndonin vazhdimisht tifozët e Malmos, ndërsa Mehmeti u përgjigjej me atë që ata kishin dëshirë – me gol.

Wiman kërkon nga mbështetësit e Malmos që ta kujtojnë sidomos ndeshjen me Kalmarin në verën e vitit 2008, kur Malmo po humbiste 2:1, ndërsa Mehmeti, i inkuadruar në minutën e 83-të, ia dhuroi fitoren ekipit të tij, 3:2. Qyteti i Malmos i uron fat dhe sukses në karrierë lojtarit të vet të dashur.

Drejtori sportiv, Per Agren tregon se sulmuesi kosovar e ka refuzuar vazhdimin e kontratës, pasi që tash ka objektiva tjerë. “Po, është e vërtetë, ai e ka refuzuar një ofertë për kontratë afatgjatë, të cilën ia kishim paraqitur”, konfirmoi Agren.

Kontrata e Mehmetit skadon këtë vjeshtë, ndërsa më pas ai do të jetë i lirë të vendosë për të ardhmen. Flitet se ai mund t’i bashkohet Palermos në janar, por ka edhe disa opsione tjera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›