Malmstrom: Kosova, përparim në negociatat për vizat
Eurokomisionerja e punëve të brendshme, Sesilia Malmstrom, deklaroi të hënën se Kosova ka realizuar përparim të konsiderueshëm në negociatat me Brukselin për liberalizimin e vizave, raportojnë mediat.
“Dërguam mision para një muaji dhe konfirmuam se në Kosovë është bërë përmirësim i dukshëm”, deklaroi Malmstrom duke theksuar se nevojitet të bëhet akoma më shumë.
Shtetasit kosovarë janë të vetmit në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, të cilëve u nevojiten viza për hyrje në shtetet e Bashkimit Evropian, pasi Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi morën regjim pa viza në vitin 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina një vit më vonë.
Kosova akoma nuk i ka marrë udhëzimet, të cilat saktësojnë kushtet që duhet të përmbushen që shtetasit e saj të mund të udhëtojnë pa viza.