Malta pa shtatë lojtarë ndaj kuqezinjveTrajneri çek ka vendosur të bazohet më shumë tek forma momentale e lojtarëve dhe i beson shumë Endrju Kohenit dhe Terrens Sherrit, të dy të Hiberniansit, që luajtën shumë mirë ndaj Ferencvaroshit ndeshje k

Bledar KUKA- Në krahasim me skuadrën që erdhi në Tiranë më 8 shtator dhe u mund 0-3, trajneri i Maltës Dushan Ficel ka pesë lojtarë mangut këtë herë. Dy ekipet luajnë nesër në ishull për eliminatoret e Botërorit 2010, Grupi 1.
Për fatin e keq të ishullorëve dhe të trajnerit çek bëhet fjalë për mungesa lojtarësh me përvojë, por që Ficel nuk i pati as në miqësoren ndaj Ferencvaroshit fituar 3-1. Ivan Uds i Sliema Uonderersit, Xhemi Pejs dhe Kenet Shikluna të Valetës si dhe Xhorxh Malia i Birkirkarasë janë lënë mënjanë nga drejtuesi teknik i përfaqësueses, ndërsa Kliven Frendo ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi, ndonëse sipas “Tajms of Malta” po luan mirë për Valetën.
Njëri prej lojtarëve më të mirë të ekipit, Daniel Bogdanoviç, që synohet nga Barnsli në Angli, ka një dëmtim në kofshë. Me probleme është edhe Etien Barbara i Ferlit në Gjermani, për shkak të dhëmbëve. Ficeli ka vetëm 4 lojtarë që luajnë jashtë kampionatit maltez, si Andrei Agius, Mihael Mifsud, Andre Skembri dhe Xhastin Haber.
Trajneri çek ka vendosur të bazohet më shumë tek forma momentale e lojtarëve dhe i beson shumë Endrju Kohenit dhe Terrens Sherrit, të dy të Hiberniansit, që luajtën shumë mirë ndaj Ferencvaroshit ndeshje ku Sherri shënoi dy gola. Po kështu, Ficel ka shumë besim tek Andre Agius, që luan me Ixhea Virtusin në Itali, sepse e quan një “bast të fituar” në mbrojtje.
Maltezët kanë kohë që stërviten bashkë, ndërsa shumica e tyre të shtunën ishin të përfshirë në çerekfinalet e Kupës së Maltës, ndaj Ficeli i la pushim ditën e dielë, për të rinisur dje programin stërvitor.
Mihael Mifsud: Dua Premier Ligën
Sulmuesi maltez, Mihael Mifsud, u bashkua me Barnslin në kategorinë e dytë angleze, pasi klubi në fjalë luftoi fort ndaj pretendentëve spanjollë. Sipas trajnerit të të kuqve, Dejvi, bisedat vazhduan deri të dielën në mbrëmje dhe më në fund maltezi pranoi të luante për Barnslin. “Mifsudi është shumë ambicioz, - tha Dejvi, - ai dëshiron Premier Ligën, nivelin më të lartë në Angli. Ai dhuron emocione si dhe shënon gola. Pati disa klube spanjollë që e deshën”.
E Marte, 10 Shkurt 2009