Mamurras, konflikti i xhaxhait, vritet në atentat nipi 9-vjeçar
Mamurras/Larjet e hesapeve duke vrarë njerëz në mes të ditës duket se po kthehen në ngjarjet më të përfolura ditët e fundit. Jo më shumë se 24 orë më parë ish kryekomunari i komunës Rrethina në Shkodër u masakrua me kaçavidë në kokë ndërsa është në gjendje të rëndë për jetën. Për të njëjtin motiv larje e hesapeve për një konflikt të çastit, një tjetër ngjarje e rëndë që ka përfunduar në tragjedi është shënuar ditën e djeshme në qytetin e Mamurrasit ndërsa shënjestra ka qenë Muhamet Llanaj një person mjaft i njohur në qytet, por është vrarë më armë zjarri nipi i tij 9 vjeçar që ka qenë në të njëjtën makinë me të. Sipas njoftimit të policisë fëmija 9-vjeçar ka humbur jetën kurse xhaxhai i tij u plagos rëndë, pasi makina me të cilën udhëtonin u qëllua me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në fshatin Shpërdhet të Fushë Mamurrasit, ndërsa policia pas hetimeve për këtë ngjarje të rëndë ka identifikuar autorët e ngjarjes që janë 2 vëllezërit Altin dhe Ditmir Shkreta.
Tragjedia
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se makina u qëllua me breshëri plumbash, dhe për pasojë humbi jetën 9-vjeçari I.LL dhe u plagos xhaxhai i tij Muharrem Llanaj, i cili dyshohet se ka qenë objektivi i sulmit. Mësohet se në momentin e sulmit 9-vjeçari ishte ulur në sediljen e parë të automjetit, si pasagjer ndërsa makina, tip Volsvagen me targa AA 141 BF, është qëlluar në anën e shoferit. Policia bën të ditur se 62-vjeçari i plagosur është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Hetimet dhe motivet
Ndërkohë policia ka nisur hetimet në vendngjarje. Nga të dhënat e para mësohet se ngjarja ka ardhur pas një konflikti që i plagosuri Llanaj dhe autorët e ngjarjes kanë pasur mbrëmjen e djeshmen e fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, vëllezërit Shkreta, konkretisht me shtetasin Ditmir Shkreta. Dy vëllezërit, i kanë dalë në pritë 62-vjeçarit ditën e djeshme duke e qëlluar me breshëri automatiku në kohen që udhëtonte ne automjetin tip Volsvagen me targa AA 141 BF. Por plumbat kanë qëlluar për vdekje nipin e objektiv, 9-vjeçarin I.Ll. Ndërkohë policia i ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen autorëve. Ndërkohë për këtë ngjarje po merren në pyetje edhe personat që mendohet të kenë qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes.
Durrës, sulm me thikë te tregu i fruta-perimeve
Durrës/Adriatik Lala 41 vjeç nga Durrësi ka përfunduar në pranga pasi ka masakruar me thikë një 34 vjeçar. Shkak për arrestimin e tij u bë një konflikt në lagjen Nr.12 të qytetit, në afërsi të tregut të fruta-perimeve, ku pas një konflikti të çastit për motive të dobëta Lala ka tentuar të vrasë me thikë duke e qëlluar disa herë në trup 34 vjeçarin me iniciale E.H., i cili u dërgua me urgjencë në Spitalin e Durrësit. Siç informon Lala dyshohet se ka goditur në detyrë gjatë shoqërimit për në komisariat punonjësin e policisë A.V. Lidhur me këtë ngjarje ndaj të ndalurit nisën hetimet për veprat penale Vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe goditje për shkak të detyrës.
Dy operacione anti-kontrabandë në Tiranë, 3 të arrestuar
Policia e Tiranës ka ndërmarrë dje dy operacione anti-kontrabandë duke arrestuar 3 persona. Kështu në sajë të operacionit të koduar “Farmacisti” u arrestua 57-vjeçari Ylli Mekollari, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij me targe Tr.0548 F, në pjesën e bagazhit është gjetur një sasi e konsiderueshme me medikamente mjekësore, të cilat ishin pa pullë fiskale. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet edhe një sasi tjetër barnash mjekësore të ndryshme pa pullë fiskale si dhe pa pulla sigurie barnash, të cilat më pas i tregtonte në farmacinë e tij. Gjithashtu policia gjatë operacionit të koduar “Tregtari” ka arrestuar dy shtetasit Ramadan Tamizi, 47 vjeç dhe Petro Prifti 35 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin fusnin kondrabandë nga pikat e kalimit kufitar Kapshticë dhe Qafë Thanë konfeksione të llojeve të ndryshme të cilat i depozitonin në makazinat e mara me qera duke i tregtuar më pas ato në tregun e rrugës “5 Maji” në Tiranë. Konfeksionet e mësipërme arrijnë një vlerë tregu mbi 60 mijë euro, duke ju shmangur kështu detyrimeve doganore (TVSH) në rreth 12000 Euro. Ndërkohë materialet në ngarkim të të arrestuarve iu dërguan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprat penale të “Tregëtim dhe transportim të mallrave kontrabandë” dhe “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”.