E Diel, 1 Nëntor 2026

Klani Meta-Basha eliminuan Topallin nga kandidatura për Presidente

Erion HABILAJ

Vëmendja e gjithë medias dhe publikut në këto momente është përqendruar në procesin e zgjedhjes së Presidentit duke mos u marr shumë me detajet por me negociatat mes palëve. Shumë pyesin se si doli kandidatura e Xhezair Zaganjorit si kandidat i mazhorancës. Përgjigjja për këtë pyetje jepet shkurt duke thënë se ishte produkt i konsensusit mes partive të mazhorancës. Në të vërtetë pasi janë pyetur figura të PD-së rezulton se Zaganjori është një kandidaturë e Ilir Metës dhe jo e Berishës apo Topallit siç u përfol me herët. Të njëjtat burime sqarojnë se dalja e Zaganjorit është dhe dominimi i një klani ndaj një klani tjetër në gjirin e mazhorancës. Figura e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur si propozim i Metës por që është mbështetur dhe nga Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në PD.

Shmangia e Topallit

Qëllimi i kësaj manovre ka qenë shmangia me çdo lloj kushti i Jozefina Topallit. Nëse Topalli do të shkonte në Presidencë do të sillte një fuqizim edhe më tej të saj duke pasur një përplasje të fortë me Bashën. Fillimisht u tha se ikja e Topallit i hap rrugën në Bashës, por llogaritë që ka bërë kreu i bashkisë i dalin se Jozefina Topalli në Presidencë merr një peshë tjetër edhe për shkak të rolit që ka në drejtësi. Në drejtim të bashkisë së Tiranës por dhe të vetë Bashës ka disa padi të cilat janë nga opozita por dhe ish punonjës të bashkisë dhe nuk përjashtohet që Topalli ta shantazhonte Bashën me dosje në çdo moment.

Dueli Basha-Topalli dhe Meta

Lufta e hapur mes Lulzim Bashës dhe Jozefina Topallit nuk është më një fantazi e medias. Tashmë dihet botërisht që të dy kanë një përplasje herë të dukshme dhe më shumë herë të padukshme. Topalli ishte figura e cila pretendohej nga mazhoranca se do të ishte kandidate për presidente. Kushtëzimi nga numrat bëri të futej në lojë Ilir Meta një mik i madh me Lulzim Bashën. Meta bëri çmos edhe takim me Edi Ramën për të djegur kandidaturën e Jozefina Topallit. Përpjekja e tij në fakt nuk u kap shpejt nga PD. Shumë deputetë të mazhorancës e menduan se dalja e figurës së Zaganjorit ishte një lojë e Berishës me besimin se ky i fundit është një lojtarë i fortë në të tilla situata. Me kalimin e ditëve kur Jozefina Topalli po shfaqej e mërzitur, edhe deputetë mbështetës të saj kanë nisur të bëjnë llogaritë se PD po humbet jo vetëm presidencës por po bën dhe më të komplikuar situatën brenda PD-së. Jo pak zëra kanë kërkuar tashmë nga Berisha që PD të tërhiqet nga Zaganjori dhe të raundin e katërt të dal me kandidat nga Grupi i saj. Në korridoret e kuvendit dy ditë më parë u fol se Topalli vetë ka pasur një debat të ashpër me Berishën duke i kërkuar që ta nxjerr atë kandidate, nëse nuk mundej të paktën të nxirrte Boden. Por kreu i PD duke qenë në vështirësi të numrave duhet ta hedh vallen sipas hapave që imponon Ilir Meta. Ditët në vijim do të shtohen zërat brenda PD-së që do të kërkojnë që të dal një figurë demokrate për në krye të shtetit.

Roli i LSI

Meta fillimisht foli se presidenti duhet të zgjidhet me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, madje këtë e vuri si kusht për Berishën. Por me daljen e kandidaturës së Zaganjorit ndryshoi dhe qëndrimi i kreut të LSI, i cili tashmë shprehet se do të votohet ky kandidat qoftë dhe pa miratimin e Partisë Socialiste.

Berisha në dilemë për Zaganjorin

Sali Berisha fillimisht u duk i interesuar për figurën e Xhezairi Zaganjorit, por kundërshtitë brenda partisë duke se e kanë vënë në pozitë të vështirë. Jo rrallë herë ditët e fundit ka thënë se mund të tërhiqet kandidatura e Zaganjorit nëse opozita sjellë një tjetër. Madje Berisha po i bën thirrje Ramës që të kandidoj Nanon duke i legjitimuar në këtë mënyrë atij të drejtën për të kandiduar një figurë të lartë të PD. Ditët në vijim do të tregojnë më qartë nëse Berisha do të luajë fort duke zgjedhur një njeri të vetin apo do ti bindet Metës i kushtëzuar nga numrat në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›