Man City – Swansea, ndeshja më e gjatë e Premierligës

Ballafaqimi në Eastlands pati më tepër se 12 minuta lojë shtesë pasi portieri i Swanseas, Michel Vorm pësoi një lëndim të rëndë, derisa tentoi të priste topin në rastin e golit të Carlos Tevezit në minutën e 61-të. Kurse, mbrojtësi i Cityt, Micah Richards u nevojit t’i nënshtrohet një tretmani të zgjatur për një dëmtim në gju.
Me kohën shtesë të sinjalizuar nga gjyqtari Martin Atkinson u nënkuptua se kjo ndeshje do të thyejë rekordin e kaluar prej 102 minuta e 26 sekonda nga barazimi 1-1 mes Arsenalit dhe Liverpoolit në Emirates më 2011. Menaxheri Roberto Mancini lavdëroi futbollistët e tij që mposhtën lodhjen dhe fituan pikë të plota.
“Paraqitja jonë në pjesën e parë ishte ashtu-ashtu sepse ishim të lodhur, por në të dytën luajtëm më mirë, krijuam më tepër raste për shënim. Në këso raste është vështirë, sidomos pas një humbjeje në Ligën e Kampionëve, andaj ishte me rëndësi të fitonim’, deklaroi ai.