Man. City e Arsenal në gjurmët e Valdes

Me kalimin e ditëve shtohen ekipet pretendente që kërkojnë portierin e Barcelonës, Victor Valdes, e kjo pasi edhe vet portieri ka shprehur dëshirën për largim.
Më të fundit sipas Daily Star janë Arsenali dhe Manchester City në Premier League, që kërkojnë nga agjenti i Valdes që të nisin kontaktet për të marrë vesh kushtet e portierit blaugrana në rast transferimi. Ekipi i Wenger dhe ai i Pellegrinit nuk janë të parët që interesohen për Valdes, i cili nuk e ka me ngut të vendosë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, pasi veç aspektit financiar, kërkon edhe një projekt ambicioz, që i jep mundësi të aspirojë për tituj.
31-vjeçari e ka patur të gjithë karrierën të lidhur me Barcelonën dhe gjatë verës shprehu hapur dëshirën për t’u larguar kur t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni. Pas fitores 3-2 kundër Sevillas, Valdes konfirmoi qëndrimin e tij të pandryshuar, duke thënë se është profesionist, është i lumtur për këtë sezon të fundit në Camp Nou dhe më pas do të largohet.
Me këtë vendosmëri, drejtuesit e klubit katalanas duket se do të kenë një mision të pamundur për t’i ndryshuar mendje. Arsenali e kërkon për t’i servirur më shumë konkurrencë gardianit Wojciech Szczesny, ndërsa te Manchester City, Valdes shikohet si alternativë e mirë e Joe Hart, i cili nuk i ka kënaqur shumë drejtuesit me performancat e këtij fillim sezoni./indeksonline/