Man Utd insiston për Xhakën

Një ditë pasi drejtuesit e Hamburgut i bënë ofertë zyrtare Baselit, për mesfushorin kosovar, Granit Xhaka, menjëherë ka ardhur reagimi. Sipas medieve angleze, Manchester United po insiston që t’i sigurojë sa më shpejt shërbimet e reprezentuesit zviceran.
Talenti i Xhakës i kishte rënë në sy menaxherit të Manchester Unitedit, Alex Ferguson gjatë ndeshjeve që kishte zhvilluar kundër Baselit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Sipas medieve angleze, Manchester United nuk dëshiron ta lëshojë Xhakën për të cilin thuhet se i kanë ofruar Baselit 7 milionë euro, po aq sa ka ofruar edhe ekipi nga Bundesliga.
Basel, edhe pse dëshiron ta mbajë futbollistin, të paktën deri në verë, vështirë se do t’u përballojë ofertave që po vijnë në adresë të prishtinasit, i cili po kalon nëpër një formë të jashtëzakonshme.