Paratë nuk janë gjithçka

Ish-sulmuesi i Chelseas, Nicolas Anelka mund të kishte përfituar nga një bisedë me bashkëkombësin e tij David Trezeguet, para se të nënshkruante kontratë të majme me Shanghai Shenhuan. Në gusht të vitit të kaluar, Trezeguet kaloi atje ku dukej se do të kalonte me lehtësi, i përkrahur nga një pagesë e mirë, në Emiratet Bashkuara Arabe.
Ai kishte arritur marrëveshje njëvjeçare me Baniyas SC, klub me një deve në logo, me qendër në Abu Dhabi. Por, qëndrimi i tij atje zgjati vetëm tre muaj. Lëndimet që e kufizuan të bënte vetëm disa paraqitje, ishin përmendur si arsyeja zyrtare për shkëputjen e kontratës.
Klubi madje lavdëroi sinqeritetin e tij, duke e falënderuar që nuk vendosi të vazhdojë të marrë pagën kur nuk ndjente se mund të kontribuonte. Por, erdhi afati kalimtar i janarit, dhe duket se një çështje e zemrës e kishte bindur atë t’u thotë lamtumirë parave të majme në Abu Dhabi.
Një thirrje nga klubi i tij i fëmijërisë, River Plate në Argjentinë – prindërit e tij janë argjentinas – doli të jetë e parefuzueshme. Brengat e Trezeguesë për lëndime u zhdukën dhe sulmuesi 34 vjeç realizoi ambicien e tij jetësore duke nënshkruar kontratë trivjeçare me klubin e famshëm, por që do të bëjë gara në divizionin e dytë.
Për një futbollist të kalibrit të tij, transferimi mund të konsiderohet si hap prapa në karrierë, por Trezeguet e krahasoi kalimin në River, me triumfin në Kampionatin botëror me Francën, ose titujt e shumtë që fitoi me Juventusin. “Për mua futbolli është pasion dhe nuk e ndjeja këtë në futbollin arab. Ku mund të gjeja vend më të mirë për ta shijuar sesa këtu?” tha Trezeguet për The Guardian.
“Është ndjenjë e mrekullueshme e motivuar nga gjithçka që përfaqëson Riveri”, shtoi ai. Trezeguet është futbollisti më i ri me prejardhje argjentinase që ka refuzuar të vazhdojë karrierën në ndonjë ligë elitare evropiane për t’iu bashkuar kauzës për ringjalljen e Riverit. Fernando Cavenaghi, i cili kishte fituar titullin në ligë me Bordeaux dhe Alejandro Dominguez, i cili u shpall kampion me Zenit St Petersburgun dhe Rubin Kazanin në Rusi, po ashtu u transferuan në Buenos Aires.
Një tjetër, Leonardo Ponzio, do të vijë gjatë këtij muaji nga Real Zaragoza. River është në mision për rikthim nga tmerri i rënies nga liga e parë, edicionin e kaluar. Ata janë aktualisht në pozitën e dytë në Primera B Nacional të Argjentinës, por ardhja e futbollistëve me përvojë si Trezeguet, sigurisht se do të jetë ndihmesë e madhe për ekipin.
Në kohën kur shumica e futbollistëve ndjekin kontratat milionëshe për të finalizuar transferimet, ka edhe të atillë që kërkojnë shpërblime të natyrës më të thjeshtë. Për Trezeguenë, kjo nuk do të jetë hera e parë që do të luajë në divizionin e dytë.
Ai, Gianluigi Buffon, Pavel Nedved e Alessandro Del Piero të gjithë qëndruan kur Juventus ishte përjashtuar në Serie B dhe udhëheqja e tyre riktheu skuadrën në elitë dhe shërbeu si ndihmesë e madhe për të rinjtë që depërtuan në atë situatë. Trezeguet e përcolli zemrën e tij në River. Shoku i tij i fëmijërisë, Thierry Henry u rikthye në Arsenal, kurse mundemi vetëm të presim se sa “dashuri” ka Anelka për aventurën e tij të re në Kinë.