Shaqiri, shpresë e 2012-ës

Përveç interesimit të madh për shërbimet e tij nga gjigantë të futbollit evropian, duke përfshirë ndër të tjerë Manchester Unitedin, Liverpoolin e Juventusin, 20-vjeçari gjithnjë e më tepër përfshihet në lista të futbollistëve që premtojnë shumë.
Kështu, portali kroat, Jutarnji.hr ka formuar një listë prej 10 futbollistëve, të cilët i ka vlerësuar si shpresat më të mëdha të 2012-ës, kurse në të gjendet edhe emri i Shaqirit.
Mesfushori ofensiv ka arritur sukses të madh me Baselin duke fituar Kampionatin zviceran, kurse është një prej futbollistëve më meritorë që skuadra helvetike u kualifikua për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, duke eliminuar hiq më pak se Manchester Unitedin.
Së bashku me Shaqirin, listën prej 10 top shpresave të këtij viti e përbëjnë edhe Isaac Cuenca (Barcelonë), Alex Oxlade-Chamberlain (Arsenal), Paul Pogba (Manchester United), Iker Muniain (Athletic Bilbao), Mateo Kovacic (Dinamo Zagreb), Mario Fernandes (Gremio), Giorgi Chanturia (Vitesse(, Bernd Leno (Leverkusen) dhe Mateo Musacchio (Villarreal).