Lucescu lëndohet në aksident me veturë

“Ai pësoi traumë të fuqishme pas aksidentit me veturë” tha doktor Mircea Georgescu për stacionin privat Realitatea TV nga qendra emergjente ku ishte dërguar Lucescu.
“Ai është në gjendje stabile, shëndeti i tij është i mirë. Ekzaminimet kanë treguar se jeta e Lucescut nuk është e rrezikuar, ai flet” shtoi doktori për trajnerin 66 vjeç të klubit ukrainas. Georgescu nuk dha detaje tjera rreth aksidentit.
Mirëpo, në fotografitë e publikuara në mediet rumune vetura e Lucescut kishte pësuar dëme të mëdha në anën e majtë. Portali Gsp.ro ka raportuar se Lucescu ka thyer tre brinjë.
Lucescu, i cili udhëhoqi Shakhtarin drejt triumfit në Kupën UEFA 2009 është një prej trajnerëve më me përvojë në Evropë. Ai ka udhëhequr edhe Interin, Galatasarayn dhe Kombëtaren e Rumanisë.