E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kali i Trojës çon në burg rrjetin e shpërndarjes së drogës

Berat-Operacioni i koduar “Kali i Trojës” është finalizuar me arrestimin e 9 të rinjve për shpërndarje të lëndëve narkotike. Policia e Beratit në bashkëpunim me policinë Vlorës kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasve: Rael Dardha 29-vjeç, Markel Gjika 21 vjeç, Avenir Kuqali 30-vjeç, Skerdian Xhufi 26-vjeç, Dhimitër Boçe-36 vjeç, Erjon Karadaku 33-vjeç nga qyteti i Beratit. Si dhe shtetasit: Olsi Metolla-25 vjeç, Ridvan Kate 36-vjeç e Olsi Dautaj 25-vjeç nga qyteti i Vlorës.

Arrestimi i rrjetit të shpërndarjes të drogës i përbërë nga 9 të rinj u bë pas një ndjekje dy mujore. Sipas policisë ata akuzohen se kanë kryer shitje të lëndëve narkotike, duke e përqëndruar aktivitetin e tyre në dy qytete kryesore, Berat dhe Vlorë.

Policia ka sekuestruar një sasi prej 190 gr lëndë me ngjyrë bezhë, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë, e cila është dërguar për ekzaminim. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, një armë zjarri e llojit pistoletë "Zastava" me nr 25087 me gjashtë fishekë të kalibrit 9 mm, dy automjete, 13 telefona celularë dhe një sasi prej 85 mijë lekësh si dhe 100 euro.

Për veprime të mëtejshme materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat. Mbi 9 të arrestuarit rëndon akuza e shitjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›