Avokati i Bashës: Dosja me parregullsi ligjore
Tiranë- Disa orë pas largimit nga organi i akuzës, avokati i ministrit Basha, Zef Nikaj ka deklaruar për mediat se “në formë të shkruar i kam paraqitur prokurorit të çështjes, të gjithë parregullsitë ligjore të veprimeve të tyre. Për këto parregullsi kam kërkuar pavlefshmërinë e akteve procedurale edhe përpara Gjykatës së Shlkallës së Parë të Tiranës”.
Sipas Mbrojtësit të Lulzim Bashës, nuk ka asnjë akt ligjor që ti kenë atribuar zotit Basha cilësinë e të pandehurit në bazë të nenit 34 pika 1 të Kodit Penal.
Basha nuk shkon në prokurori për tu njohur me akuzën
Ora: 14:20
Tiranë- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha nuk është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, pas thirrjes së prokurorit të çeshtjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja. Ish-ministri i Transporteve akuzohet për shpërdorim me detyrën duke i shkaktuar një dëm prej 230 milion eurosh, shtetit.
Sot në orën 14.00 kur pritej që në Prokurorinë e Tiranës të shkonte ministri Basha, është parë të hyjë vetëm avokati i tij Zef Nikaj. Ai ka qendruar pak minuta me prokurorin e çështjes. Burime nga prokuroria konfirmojnë se Nikaj nuk ka pranuar të firmosë asnjë shkresë, siç i është kërkuar nga organi hetimor. Ndërsa nuk bëhen të ditura arsyet e mosparaqitjes së Bashës, i cili tashmë është thirrur si i pandehur në prokurori. Avokati i tij është larguar pa u prononcuar edhe pse ka patur një interes të madh të medias që prisnin para dyerve të prokurorisë.
Ministri pa imunitet, Lulzim Basha, është njohur një muaj më parë me raportin përfundimtar për abuzimet e mëdha në rrugën “Durrës-Kukës”. Sipas burimeve, rruga “Durrës-Kukës” i ka shkaktuar një dëm prej 230 milionë euro shtetit. Basha në fillim ishte vetëm i pyetur në prokurori ndërsa 4 ditë më parë është komunikuar vendimi i prokurorit për të hetuar mbi ish-ministrin e Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm. Pra tani ai është i pandehur, për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek funksionarët e zgjedhur” në bashkëpunim me dhe ish-drejtorin juridik pranë Ministrisë së Transporteve, Andi Toma.
Tashmë rruga Durrës-Kukës do të ketë në bankën e të akuzuarve, ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, që në kohën e firmosjes së rrugës ishte ministër i Transporteve. Sot ishte dita e parë kur Basha duhet të paraqitej në Prokurori si i pandehur. Avokati i tij Zef Nikaj është shprehur ditën e martë se “sipas flete-thirrjes njoftohet klienti im Lulzim Basha të paraqitet me datën 27 nëntor në Prokurorinë e Përgjithshme". Po kështu ai ka shtuar se vetë Basha do të shkojë në Prokurori. Por përkundër asaj që deklaroi avokati dy ditë më para, ministri Basha nuk iu përgjigj sot kërkesës së Prokurorit.