Manastirliu: Këtë vit shkollor 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme u pasuruan me libra artistikë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Programi “Biblioteka ime në shkollë” vijon edhe këtë vit shkollor për pasurimin me tituj të rinj të librave të bibliotekave në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot se “me përkushtim dhe pasion, mësuesit tanë përcjellin çdo ditë në klasë, dashurinë për librin dhe leximin. Çdo vit pasurojmë bibliotekat e shkollave me tituj të rinj dhe këtë vit shkollor 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme janë pasuruar me libra artistikë, duke nxitur kulturën e leximit tek nxënësit tanë”.
Pasurimi i fondit të librave në bibliotekat e shkollave është thelbësor jo vetëm për të zgjeruar aksesin e nxënësve në dije por dhe për të ushqyer imagjinatën, dëshirën për leximin dhe për t’i pajisur me shembuj të nevojshëm, që do t’i nevojiten për të ardhmen e tyre.
Ky program i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të kontribuojë në zgjerimin e fondit të librave të bibliotekave në shkolla.
/k.s/j.p/