Manastirliu: Me buxhetin 2024 përfundojmë 30 shkolla të reja

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se buxheti i vitit 2024 do të rriti mbështetjen për infrastrukturën arsimore. Duke folur gjatë një vizite në Shkollën Artistike “Onufri” në Elbasan, ajo tha se “Fokusi i qeverisë dhe MAS është mbështetja e shkollave me drejtime profesionale, me drejtim artistik dhe sportiv”.
“Hapi i radhës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është puna për t’i dhënë shkollave artistike një status special, që do të bëjë të mundur që shkollat artistike të kenë edhe një autonomi financiare për të organizuar punën e tyre, për të mos munguar mjetet didaktike dhe për të garantuar gjithashtu që edhe nga pikëpamja infrastrukturore, edhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore, të kemi përmirësime në vazhdim”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu njoftoi vijimin me buxhetin e ri të investimeve në shkolla në të gjithë vendin. “Me buxhetin e vitit 2024, ne do të garantojmë që në gjithë vendin të përfundojnë 30 objekte shkollore. Me buxhetin e ri 1.2 miliard lekë do të shkojnë për rikonstruksionin apo rindërtimin e shkollave”, tha Manastirliu.
/ rtsh.al /