Manastirliu: Vijona puna për rikonstruksionin e dy shkollave në Memaliaj

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” dhe gjimnazit “Sali Nivica” në Memaliaj do të kenë kushte më të mira.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga rikonstruksioni i këtyre dy shkollave.
“Me rikonstruksionin e gjimnazit “Sali Nivica” dhe projektin e terreneve sportive do të përmirësojmë kushtet për nxënësit e këtij gjimnazi dhe shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj”, tha Manastirliu.
Manastirliu u shpreh se “ky investim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe bashkia Memaliaj garanton kushte moderne jo vetëm për nxënësit, por për gjithë komunitetin”.
“Me buxhetin 2025 përfundojmë investimet në 40 shkolla dhe terrene sportive në gjithë vendin”, tha Manastriliu.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë gjatë këtij viti investimet për transformimin e infrastrukturës arsimore.
Me buxhetin e 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 – 25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.
Në vitin 2024 u rehabilituan apo nisën procesin e rehabilitimit më shumë se 100 shkolla dhe u vendosën 216 laboratorë smart.
1 nga 9/r.e//a.f/