Rama: Sipërmarrësit vendas e të huaj aleatë strategjikë të AIC-së, ndërtimi i polit qeveritar me impakt të jashtëzakonshëm

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “Korporata Shqiptare e Investimeve mirëpret çdo propozim që mund të vijë nga pronarët privatë dhe sipërmarrësit, për të zhvilluar bashkërisht prona, ku shteti ka pjesën e vetë si pronar”.
Në përfundim të prezantimit të programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, Rama tha se “të gjithë duhet të ndjehen të lirë dhe të mirëseardhur në dyert e Korporatës Shqiptare të Investimeve edhe për propozime, të cilat nuk figurojnë në listën e shpallur prej nesh, qoftë në kryeqytet, qoftë në çdo pjesë tjetër të territorit të vendit”.
“Sipas idesë përkatëse mund të ketë interes për të hyrë në një bashkëpunim me shtetin dhe ku shteti, siç e tha dhe ministri, do të jetë gjithnjë e më i prirur të jetë partner i drejtpërdrejtë në investim dhe gjithnjë e më pak i gatshëm që të dorëzojë prona për zhvillim me ato kushte që janë të përshkruara në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe që kanë shërbyer për një periudhë kohe që ne e konsiderojmë një periudhë kohe që tanimë është e tejkaluar, pasi, qoftë historia e lavdishme e “Shqipërisë 1 euro”, që e mbani mend të gjithë, qoftë të gjitha të tjerat që janë bërë rreth këtij koncepti, kanë qenë të lidhura me faktin që Shqipëria ishte shumë pak atraktive për investimet e huaja apo për investimet private në tërësi dhe sot nuk jemi më në këto kushte”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “sot, jemi në kushtet ku edhe për zhvillime të kësaj natyre, në qytet kemi të gjitha arsyet të mendojmë që, jo vetëm sipërmarrësit vendas, që janë baza e këtij partneriteti dhe që ne duam të jenë aleatët më strategjikë të AIC-së, por edhe sipërmarrës dhe fonde të huaja kanë shprehur interes”.
“Edhe një element tjetër, ju e dini shumë mirë, e këtu kam parasysh investitorët dhe sipërmarrësit në ndërtim. E dini shumë mirë që një pjesë jo e lehtë e procesit është gjithë pjesa që ka të bëjë me projektin, pastaj me burokracinë etj., ndërkohë që në këtë rast merret drejtpërdrejt një projekt dhe një leje zhvillimi e dhënë, që do të thotë që, gjithë kjo pjesë kohe dhe konsumi i jashtëzakonshëm energjish dhe që ka të bëjë me pjesën parapërgatitore është e ezauruar faktikisht nga partneri-shtet”, tha Rama.
Rama u shpreh se “kemi qenë shumë të vëmendshëm që të vendosemi në raport me sipërmarrësit në të njëjtin pozicion si pronari privat, që do të thotë: as mos të kërkojmë diçka që del jashtë parametrave mesatarë të tregut, por as të mos, si të thuash, bëjmë atë që është bërë në të kaluarën, që thjeshtë të lëshojmë territor për të thjeshtë fasilituar një zhvillim privat”.
“Shteti do të jetë absolutisht një partner i njëjtë me të gjithë partnerët e pafundmë që janë në territor si pronarë privatë, por shumë më i thjeshtë se është 1, nuk janë 30, 40, 50, 145 dhe në ndërkohë me kushte edhe me kërkesa shumë të qarta. Llogaritë janë bërë dhe janë ribërë shumë shpesh, dhe faktikisht ato që patë, janë të llogaritura më së miri për t’i dhënë mundësi partnerit privat që në fund të gjithë procesit të këtë një marzh fitimi të konsiderueshëm, marr parasysh fitimin që sot është ai që mund të konsiderohet fitimi normal, edhe pse është ende jo normal, në raport me tregje të tjera për shkak të kërkesës shumë të lartë që ka ende Shqipëria në këtë fushë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare, ndërtimi i polit qeveritar që e patë në projekt, ku praktikisht do të akomodohen mbi 20 institucione dhe do të punojnë aty brenda rreth 13 mijë punonjës, janë vepra që mund të bëhen vetëm në këtë mënyrë sot për sot. Ndërkohë që do të na kursejnë jashtëzakonisht shumë ne si përfaqësues të interesit publik, shpenzime për qira, shumë shpenzime për qira, një fragmentim shumë të madh të punës së institucioneve, kushte jo gjithmonë optimale për shkak se hapësirat e marra me qira janë të gjithfarëllojshme dhe mungesë serioziteti në këtë fazë të zhvillimit të vendit për një shtet që ka një administratë nga e cila kërkohet gjithmonë e më shumë dhe nga ana tjetër, do të na japin mundësinë që të zhvillojmë territore, siç është për shembull, territori këtu afër, i ashtuquajtur “tek Vilat Gjermane”, që është një territor shumë qendror, me një vlerë shumë të madhe të tokës, por që faktikisht nga pikëpamja urbane është një territor i degraduar, në raport me zonën dhe me kërkesat që ka zona, apo territori që patë tek ish-ATSH, apo territori tjetër tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, për të cilat ne do të marrim mbrapsht infrastrukturë publike, Kadastrën e re që është një domosdoshmëri, për të përqendruar të gjithë institucionin në një vend, e kështu me radhë, pa folur pastaj për stadiumin, që besoj tani nuk ka më asnjë iluzion apo asnjë dyshim që është rruga e duhur”, u shpreh Rama.
“”Arena Kombëtare” është shembulli kuptimplotë i mënyrës se si një bashkëpunim midis shtetit dhe sipërmarrjes mund të prodhojë një sukses të jashtëzakonshëm për të dyja palët. Të gjitha të dhënat që ne ndjekim nga operacioni ekonomik i stadiumit janë të jashtëzakonshme për atë investim që ishte një investim shumë, shumë i madh, për hir të së vërtetës, dhe me një risk të caktuar, ndërkohë që as nuk ka dyshim se edhe pjesa e përfituar për aktivitetin sportiv është e standardeve më të larta evropiane dhe e njëjta gjë do të ndodhë, jam i bindur, edhe me zonën e “Selman Stërmasit”, por edhe për sa i përket parkimeve”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “ne po shohim rezultat shumë domethënës në iniciativat e bashkisë për parkimet publike me partneritet dhe, edhe këtu të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur që për çdo ide që për t’u futur në bashkëpunim me shtetin nëpërmjet AIC-së për të ndërtuar parkime publike, ta paraqesin”.
“AIC do të lehtësojë shumë të gjitha institucionet, sepse faktikisht do të jetë një instrument në duart e institucioneve, me një staf super të kualifikuar, me ekspertizë ndërkombëtare që vjen nga institucione të ngjashme jashtëzakonisht të suksesshme në vende si Italia apo Spanja, ku pasuritë e patundshme të ndërtuara nga këto institucione që janë pronë publike, janë me miliarda euro vlerë dhe në këtë mënyrë do të ndodhë edhe një lehtësim shumë i madh i barrës së shumë institucioneve për të zhvilluar pronat e tyre, edhe një tërheqje e plotë e institucioneve nga procese të ndërlikuara që kërkojnë një ekspertizë të posaçme dhe nuk është e lehtë as t’i bësh, po siç na rezulton, nuk është e lehtë as t’i gjykosh, sepse kemi parë dhe po shohim çudira në gjykimin e këtyre lloj proceseve, çudira që dëmtojnë seriozisht shumë më tepër sesa zgjidhin në funksion të qëllimit për të cilat bëhen dhe siç ka ndodhur me Prokurimet Publike, të cilat po centralizohen totalisht dhe po kalojnë nga duart e gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera, në duart e një operatori kombëtar”.
“Së shpejti, shpresoj vitin e ardhshëm, do të kenë edhe Inteligjencën Artificiale si mjet për t’i bërë shumë transparente, do të ndodhë dhe me të gjithë këto bashkëpunime, kështu që të gjithë, edhe këtu kam parasysh të gjithë sipërmarrësit që shikoj këtu, ata që nuk janë këtu, por që i përkasin të njëjtës kategori në territor, partnerët e sektorit bankar, institucionet që përfaqësohen këtu nga ambasadat, që të ndihen absolutisht të mirëseardhur, jo vetëm për të marrë pjesë në çfarë thamë, por edhe në çdo lloj iniciative që mendojnë se ia vlen për të hyrë në këtë partneritet, njësoj si qasja që investitorët apo sipërmarrësit bëjnë tek pronarët privatë, që i shkojnë i trokasin dhe i thonë: “Shiko, këtu bashkërisht ne mund të bëjmë një zhvillim”, ne jemi në dispozicion. AIC është përfaqësues i pronarit të pronës-shtet për zhvillim, ku mund të trokitet dhe mund të thuhet që: “Shiko, ne mund të bëjmë bashkë një zhvillim””, theksoi Rama.
/k.s//a.f//r.e/