E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançester Siti, shpenzimet që po trondisin futbollin

TIRANE-Nuk njohin limite dhe në brenda dy vjetësh kanë ndërtuar një prej skuadrave më kompetitive në botë. Mançester Siti ka siguruar dje edhe Mario Balotelin, duke paguar 35 milionë euro për të dhe duke u bërë një prej klubeve me shpenzimet më të çmendura në historinë e futbollit. Roberto Mançini tashmë ka në dispozicion një organikë nga më të kompletuarat në botë, pasi sheikët e Sitit kanë shpenzuar 400 milionë euro në merkato, duke sjellë në ekip 39 lojtarë me një fond rrogash që kalon 80 milionë eurot. Një shifër që nuk duket asnjë problem për këta pasanikë nga Dubai, që zotërojnë 10 % të rezervave të naftës botërore dhe kanë një pasuri që i kalon 550 miliardë eurot. Siti është klubi që ka bërë fushatën më të “çmendur” të blerjeve në historinë e futbollit, duke kaluar në total 252 milionë eurot e shpenzuara një vit më parë nga Florentino Perez për ndërtimin e Realit “galaktik”.
Sheikët
Ishte shtatori i vitit 2008, kur sipërmarrësi tajlandez Thaksin Shinauatra, për shkak të problemeve gjyqësore në vendin e tij, ia shiti aksionet e tij te Mançester Siti, Abu Dhabi Group, të princit Al Mansur, djali i sulltanit Al Nahian, që ka drejtuar Emiratet e Bashkuara në vitet 1971-2004. Al Mansur u bë president nderi, ndërsa bashkëpunëtori i tij Kaldon Al Mubarak ka detyrën e presidentit ekzekutiv. Që nga ai moment, sheikët arabë patën një objektiv të madh: të ndërtonin një skuadër që të fitonte kampionatin anglez dhe Ligën e Kampioneve. Blerja e parë e tyre ishte Robinjo, duke i paguar 42 milionë euro Realit të Madridit. Pas tij, te Siti shkuan gati 20 futbollistë të nivelit shumë të lartë, të gjithë të paguar me super miliona. Në dhjetor të vitit 2009, sheiku Mansur vendosi të zëvendësonte menaxherin Mark Hjuxhs me Roberto Mançinin, por viti i parë i italianit nuk ishte aq i mirë, pasi nuk arriti të siguronte dot pjesëmarrjen në Champions. Por, këtë vit që e ka zhvilluar merkaton vetë dhe e ka stërvitur skuadrën që në verë, për ish-trajnerin e Interit duket momenti i së vërtetës.
Merkato 2010
Vetëm në këto dy muaj merkato, sheikët e Mançester Sitit kanë shpenzuar 131 milionë euro, duke blerë Zherom Boateng, Kolarov, Jaja Ture, David Silva dhe Mario Baloteli. Një investim i paarritshëm për askënd, por tani sheikët e Sitit kërkojnë rezultate. Në dispozicion të Mançinit janë 12 mbrojtës, 13 mesfushorë dhe një listë e gjatë me sulmues, që përfshin emra si Robinjo, Tevez, Adebajor, Belami, Santakruz, Baloteli, Xho, Kaisedo dhe i riu Nimeli. Adebajor ndoshta mund të largohet me rikthimin e Robinjos nga Santosi, ndërkohë që çudia e drejtuesve të Sitit lidhet me shitjet e bëra. Që kur kanë ardhur në krye të klubit, arabët kanë shitur vetëm 4 lojtarë: Ben Haim, Elano, Bojinov dhe Djun, duke përfituar shifrën qesharake të 27 milionë eurove. Disa role në skuadër janë të tejmbushur, përshembull vetëm në të majtë të mbrojtjes janë 4 futbollistë (Kolarov, Brixh, Garrido, Boateng), ndërkohë që për rolin e mesfushorit të qendrës, 7 të tillë (Berri, Ture, Vieira, De Jong, Ireland, Xhonson dhe Kompani). Vështirë se sheiku Mansur mund të bënte më mirë se kaq. Tani Siti është i kompletuar në çdo repart, i pasuruar me një mik të rinjsh të talentuar dhe luftëtarësh ekspertë. Për të kompletuar veprën duhen bërë edhe dy gjëra: të shiten disa lojtarë dhe...të fitohen trofe.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›