Mançester-Zenit, sfida për Superkupën
Trajneri Aleks Ferguson e sheh Superkupën e Europës, sot ndaj Zenitit të Shën Petërsburgut, si një mundësi ideale "për ta ringjallur" Mançesterin e tij, pas një fillimsezoni në hije. Ndërkohë, Zeniti ka si synim të bëjë një tjetër "viktimë" britanike, pasi ka mundur skocezët e Gllasgou Rejnxhërsit në finalen e Kupës UEFA. Sfida e sotme, tradicionalja ndërmjet fituesit të Championsit dhe fituesit të Kupës UEFA, do të luhet në Montekarlo, atje ku dje u hodh shorti i fazës me grupe të Ligës së Kampioneve.
Anglezët e Mançesterit kanë pasur probleme muajin e fundit, për shkak të dëmtimeve, skualifikimeve dhe lojërave olimpike. Gjithsesi, Fergusoni do të ketë sërish në dispozicion kapitenin Geri Nevil (që vjen nga një dëmtim i gjatë), portugezin Nani (që rikthehet pas skualifikimit në Premier Ligë) dhe brazilianin Anderson (i saporikthyer nga pjesëmarrja në Olimpiadë). "Unë e shoh fitoren e Superkupës si objektivin që duhet ta arrijmë me çdo kusht, - tha Fergusoni, gjatë konferencës për shtyp, përpara se të nisej drejt Francës. - Gjithashtu, është një mundësi për të parë gjendjen e Andersonit, Nanit dhe Geri Nevilit. Edhe Evra me Runin janë gati. Jam duke i ndjekur me kujdes futbollistët e tjerë, që kanë ardhur nga infermieria. Ouen Hargivs do të luajë, nëse nesër (sot) nuk do të ketë dhimbje. Mendoj se do të aktivizojmë një skuadër të fortë, por me siguri do të ketë ndryshime." Kristiano Ronaldo dhe Majkëll Kerrik do të jenë mungesat e sigurta për "djajtë", ndërsa Rajan Gigs është në dyshim serioz. Mançesteri barazoi 1-1 me Njukasëllin dhe fitoi 1-0 ndaj Portsmuthit, në dy javët e para të Premier Ligës, ndërsa sot do të ndeshet me kampionët e Rusisë. Nga ana tjetër, Zeniti, që e fitoi në mënyrë të bujshme edicionin e kaluar të Kupës UEFA, do të ketë në radhët e tij edhe portugezin Dani, blerja e të cilit shënoi rekordin e ri në transferimet e futbollit rus. Ai kaloi nga Dinamos e Moskës në Shën Petërsburg për 30 milionë euro. "Dani u duk shumë mirë në stërvitjet e fundit; do të jetë një mundësi ndaj Mançesterit, - tha trajneri holandez Dirk Advokat. - Gjithçka është në rregull edhe me dokumentacionin." Ndërkohë, fantazisti Andrei Arshavin, i shumëkërkuar në merkato, pas shpërthimit në Euro 2008, është në dyshim. "Arshavin do të fluturojë për në Montekarlo, - tha Advokati, - por ende nuk kemi vendosur, nëse do të luajë apo jo." Arshavin, i cili ka marrë oferta nga Totenhemi, Arsenali dhe Barcelona, nuk luajti në ndeshjen e fundit të kampionatit. Të dielën, Zeniti fitoi 3-0 në fushën e Kriljasë, duke u futur sërish në garë për mbrojtjen e "kurorës". Ata janë 11 pikë larg Rubinit kryesues, kur mbeten edhe 11 javë nga fundi.