Mançini: Dua Zllatanin dhe Fabregasin te Siti
Ndërsa sulmuesi Baloteli ndërmerr nisma sociale, duke ndihmuar një fëmijë që dhunohej nga moshatarët e tij në shkollë
Mançester Siti duket se do të jetë aktiv edhe gjatë kësaj vere. Menaxheri i këtij klubi, Roberto Mançini i ka veçuar lojtarët të cilët do t’i dëshironte t’i kishte në shërbim sezonin e ardhshëm. Trajneri italian, i cili i siguroi ekipit ‘Citizens’ edhe matematikisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, dëshiron menjëherë përforcime. Lojtari i parë që do ta dëshironte në Mançester është sulmuesi i Milanit, Zllatan Ibrahimoviç, me të cilin ka punuar te Interi. Ndërsa, i dyti është mesfushori kryesor i Arsenalit, Çesk Fabregas. “Janë dy lojtarë që do më pëlqente t’i drejtoja: Ibrahimoviç e Fabregas. Nëse Zllatani dëshiron të vijë, një vend ia siguroj menjëherë”, theksoi trajneri italian. Për momentin sulmuesi suedez nuk ka kërkuar largimin, por kur janë në mes paratë që ofron Siti, gjithçka mund të ndryshojë. Kurse, mesfushori spanjoll ka paralajmëruar largimin gjatë verës, me Barçën favorite për të ardhmen e tij. Ndërkohë, Mançini ka treguar se sulmuesi argjentinas, Karlos Tevez sipas të gjitha gjasave në të ardhmen do të luajë në Itali. “Në dhjetor e kemi kuptuar se Karlos dëshiron të luajë në Itali. Nëse ndërron mendje, ne jemi të gatshëm ta mbajmë me gjithë qejf”, shtoi Mançini, i cili konfirmoi se në sulm nuk do të ketë ndonjë largim tjetër.
Baloteli ndihmon djaloshin e dhunuar
Sulmuesi i Mançester Sitit, Mario Baloteli, siç bëhet e ditur gazeta britanike “The Sun”, ka dalë në mbrojtje të një djali, i cili në shkollën e tij ishte viktimë e dhunës dhe agresioneve. Baloteli ka qenë prezent në këtë institut për të takuar presidentin e shkollës dhe kjo me qëllim për të gjetur një zgjidhje kundrejt këtij veprimi të shëmtuar. Djali, protagonist i kësaj çështje të shëmtuar, kishte shkuar për të takuar futbollistin, duke i kërkuar autografe atij dhe në bisedë e sipër doli dhe historia e dhunës që kishte pësuar ai në ambientet e shkollës. Ai bëri të ditur se linte orët e mësimit pikërisht për të mos qenë objektiv i këtyre agresioneve. Në këtë pike, ka qenë vetë futbollisti që vendosi të ndërhynte në këtë çështje.