E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini dhe Hidink refuzojnë blutë

Çelsi duket se do ta ketë të vështirë të gjejë një trajner të ri, pasi vetëm gjatë ditës së djeshme ka marrë publikisht dy refuzime nga ata që cilësoheshin kandidatët kryesorë, Roberto Mançini dhe Gus Hidink. Trajneri italian është cilësuar prej shumë kohësh si pretendenti kryesor për stolin e skuadrës, pasi siguroi tre tituj radhazi me Interin. Por menaxheri i tij deklaroi publikisht se nuk kishte asnjë kontakt mes palëve dhe se nuk do të zhvilloheshin bisedime, pasi Mançini dëshironte të vazhdonte karrierën e tij tek Interi. "Nuk është aspak e vërtetë se ka pasur kontakte me Çelsin dhe mund të them se nuk ka pasur bisedime me asnjë skuadër tjetër përveç Interit", deklaroi menaxheri De Xhorxhis. "Të gjithë zërat janë të pabazuar. Nëse ndokush ka kontaktuar Çelsin, ai duhet të cilësohet si një person i paautorizuar nga Roberto Mançini. Ai ka një kontratë katërvjeçare me Interin dhe është i lumtur te kjo skuadër ku kërkon të fitojë titullin e katërt kampion dhe Ligën e Kampioneve". Pas këtij refuzimi publik, e ka pasur radhën menaxheri i Gus Hidink të përgënjeshtronte zërat për kalimin e mundshëm të trajnerit holandez të Rusisë në Londër. Cis Van Niuvenhuizen deklaroi se Hidink dëshironte të qëndronte te Rusia edhe pas Kupës së Botës 2010, kohë kur përfundon edhe kontrata e tij. "Gus nuk do të bashkohet me Çelsin. Kjo nuk është një alternativë dhe nuk është cilësuar asnjëherë si e tillë. Gus është trajneri i Rusisë dhe do të qëndrojë atje deri në përfundimin e Botërorit 2010", tha ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›