Amantino Mansini, objekt shkëmbimi
Merkatoja e skuadrës së Romës duket se do të përqendrohet te shitja e mesfushorit brazilian, Amantino Mansini. Futbollisti është shumë larg formës së tij dhe trajneri Spaleti ka bërë të qartë se nuk do t‘ia ndiente shumë mungesën në sezonin e ardhshëm. Si rrjedhojë, futbollisti do t‘i shitet skuadrës që ofron më shumë apo do të përdoret si objekt shkëmbimi gjatë merkatos. Gazeta franceze "L‘Equipe" ka hipotetizuar një shkëmbim me Hatem Ben Arfa të Lionit. Ky i fundit ka probleme me disa prej futbollistëve të skuadrës dhe nuk do ta refuzonte kalimin te një ekip i njohur italian, edhe pse në gjurmët e tij janë vënë skuadrat angleze, mes të cilave Arsenali. Edhe Mansini do ta pranonte transferimin e tij te Lioni, pasi një vit më parë ishte shumë pranë kalimit te ekipi që pak javë më parë u shpall për të shtatën herë kampion në Francë.