Mandati, Ina Rama përgatitet për luftë me mazhorancën
Vjeshta sjell konfliktin e radhës prokurori-qeveri për mandatin e kryeprokurores
Sokol Çobo
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përgatitet për luftë me mazhorancën për mandatin e kryeprokurores Ina Rama. Përveç përballjes me eksponentë të qeverisë Berisha, zonja Rama nuk ka asnjë opsion tjetër, ndërsa synon që të vijojë të jetë numri një i akuzës në Shqipëri deri në muajin mars 2013, ndryshe nga mendimet e deputetëve të PD-së që pohojnë se mandati i mbaron në muajin nëntor të këtij viti. Tashmë, kryeprokurorja nuk ka asnjë mbështetës, pasi edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka lënë të kuptohet se duhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e prokurorisë, megjithëse nuk ka folur për datën kur i mbaron mandati zonjës Rama. Një lëvizje e fundit në akuzën qendrore është mbledhja e të gjithë prokurorëve të rretheve për tu komunikuar ditët e vështira që i presin në detyrë, pasi mund të përballen me presione të vazhdueshme nga eksponentë të mazhorancës, të cilët do të këmbëngulin që prokurorin e ri ta zgjedhin sa më parë, duke qenë se tashmë kemi hyrë edhe në vitin zgjedhor.
Takimi me drejtuesit
Në Prokurorinë e Përgjithshme, të gjithë janë të bindur se kryeprokurorja Ina Rama do të lërë mandatin në muajin mars të vitit 2013. Megjithëse asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk prononcohet me emër, për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mazhorancës në momentin e largimit të zonjës Rama, ata pohojnë se nga interpretimi që i kanë bërë ligjit për prokurorinë, mandati i kryeprokurores mbaron në vitin 2013. I të njëjtit mendim janë edhe drejtuesit e prokurorive të rretheve, të cilët janë në dijeni se lufta me mazhorancën po afron. Burime konfidenciale nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë për gazetën se zonja Rama ka informuar disa drejtues të prokurorive të rretheve dhe drejtorët në akuzën qendrore se do ti shkojë deri në fund përballjes me mazhorancën. Titullarët e akuzave të rretheve, të cilët kanë ardhur në këto poste pas vitit 2008, vit në të cilin Ina Rama mori postin e Prokurorit të Përgjithshëm pas shkarkimit të paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku, janë mbledhur dhe kanë diskutuar për hapat që do të ndërmarrin. Megjithëse nuk kanë asnjë tagër ligjor për ndonjë veprim konkret, ata do të mbështesin eproren që i ngriti në detyrë, ndërsa në fokus do të jenë edhe çështjet e korrupsionit.
Përballje qeveri-prokurori
Dy kampet, mazhoranca nga njëri krah, dhe prokuroria nga ana tjetër, do të ndeshen me të gjitha mënyrat, ndoshta ligjore, për mandatin e kryeprokurores Ina Rama. Mësohet se plani i mazhorancës është të vendosë një besnik të saj në krye të akuzës, siç ndodhi me KLD-në dhe SHIK-un, duke qenë se tashmë jemi në vitin zgjedhor. Nga ana tjetër, akuza thotë se do të vijojë punën normalisht për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, madje duke u ndaluar tek abuzimet e pushtetarëve me detyrën. Sipas informacioneve të gazetës, janë disa çështje hetimore që pritet të shpërthejnë në muajt në vazhdim, duke goditur korrupsionin. Ndërkohë, edhe për çështjet që janë në hetim apo gjykim, prokuroria thotë se do të veprojë me dorë të hekurt. Duket se kryeprokurorja Ina Rama do të ketë fatin e paraardhësve të saj, Theodhori Sollaku dhe Arben Rakipi, të dy të shkarkuar pas komisioneve hetimore të ngritura nga mazhorancat qeverisëse. Edhe për zonjën Rama, në rast se nuk largohet nga detyra në muajin nëntor, pritet të ngrihet një komision hetimor nga Kuvendi dhe pas raportit, do të kalohet me votim në Kuvend. Një raport pritet të bëjë edhe Ministria e Drejtësisë, e cila në disa analiza të mëparshme ka kritikuar rëndë akuzën, madje për disa prokurori të rretheve ka kërkuar masa për dhjetëra prokurorë.
Deklaratat
Mazhoranca - Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, dhe deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, pohojnë se mandati i zonjës Rama përfundon në muajin nëntor
Ish-presidentët - Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, kanë pohuar se mandati të adresohet në Gjykatën Kushtetuese kur duhet të largohet nga detyra
Kryeprokurori - Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, tha se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm janë me mangësi
Takimi me Reekerin
Kryeprokurorja Ina Rama takoi dje zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Ky i fundit e cilësoi Prokurorinë Shqiptare si një partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Mandati, Ina Rama përgatitet për luftë me mazhorancën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip