Reeker, Berishës: Ju presin javë kritike
Philip Reeker: Do tju vëzhgojmë nga afër gjatë vitit të ardhshëm
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Kryeministrin Sali Berisha për dy nga problemet më delikate të vendit: pavarësinë e institucioneve dhe zgjedhjet e pritshme parlamentare të vitit 2013. Ka qenë zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, i cili po zhvillon një vizitë tre ditore në Shqipëri, që ka lëshuar mesazhin më të fundit të Uashingtonit zyrtar. Pas takimit me Kryeministrin Berisha, i cili ka zgjatur më shumë se sa ishte parashikuar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker, deklaroi: Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit, si dhe ndaj integrimit të tij euro-atlantik. Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin, lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar. Vërtet pak rreshta, por mesazhi i kësaj deklarate të shprehur në një stinë të trazuar politike përmban 3 elemente të rëndësishme, të shoqëruar edhe me paralajmërim të fortë. Elementi i parë, i deklaratës së zyrtarit të lartë të DASH-it thekson se sidomos vitin e ardhshëm, kur do të përgatiten zgjedhjet parlamentare e më pas ato do të zhvillohen, bashkë me administrimin e rezultatit, do të ketë një proces shumë të rreptë vëzhgimi nga ana e administratës amerikane. Elementi i dytë janë pikërisht reformat institucionale dhe pikërisht çështja e institucioneve të pavarura siç janë Prokuroria, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, por edhe SHISH-i. Zoti Reeker, pas intervistës së disa muajve më parë, ku priste një respektim të pavarësisë së institucioneve pas zgjedhjes së Presidentit Nishani, dje ka qenë më i drejtpërdrejtë dhe këtë mesazh ia ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha, njëkohësisht shefi i partisë në pushtet. Që SHBA-ja pret respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike. Më pas vjen një paralajmërim i prerë: javët që vijnë janë kritike! Dhe këtu vjen një sqarim i deklaratës, i cili është një mesazh që mund të përkthehet si qëndrim në lidhje me manovrat gjeopolitike të qeverisë me qarqe gjeopolitike ekuidistantante nga boshti euroatlantik. Janë kritike për të demonstruar përparimin, lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar, deklaroi Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Philip Reeker. Konteksti është i qartë, pasi interesat dhe dëshirat e popullit shqiptar janë shprehur në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok për një lidhje të ngushtë me boshtin euroatlantik dhe në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, pas takimit me zyrtarin e lartë të DASH-it, ka premtuar se do plotësojë të gjitha detyrat e lëna nga aleati i madh. E njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që përballemi, me vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat dhe vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të SHBA-së për një prani sa më të gjerë në zgjedhjet e ardhshme, deklaroi Berisha. Kryeministri theksoi se do të punojë për pavarësinë e institucioneve dhe ka përsëritur ftesën për Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, që të vizitojë Shqipërinë si një mike e madhe dhe e shquar e shqiptarëve.
Takimet
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker, do të qëndrojë në Shqipëri deri të dielën. Dje edhe sot, ai është pjesëmarrës i konferencës mbi rolin e NATO-s në rajon, konferencë e organizuar nga i famshmi Aspen Institute. Ndërkaq, vizita e zotit Reeker, ka qëlluar edhe me një eveniment të rëndësishëm jo vetëm ekonomik në Shqipëri, privatizimin e kompanisë strategjike të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës Albpetrolit, ku në garë marrin pjesë kompani amerikane, ruse, azere dhe kineze. Analistë të njohur amerikanë, kanë theksuar se kahu se si do të shkojë qeveria shqiptare me këtë privatizim, do të ketë pasoja jo thjesht ekonomike. Gjatë ditës së djeshme, zyrtari i lartë i DASH-it është takuar me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, si dhe me Kryeprokuroren Ina Rama, ku ka përforcuar mbështetjen për pavarësinë e organit të akuzës. Po dje zoti Reeker ka zhvilluar një takim edhe me Kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha. Ditën e diel në mëngjes, para largimit në SHBA është parashikuar takimi i zotit Reeker me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama. Mesazhi i zyrtarit amerikan të dielën, pritet me interes, si për rolin e opozitës, ashtu edhe për zhvillimet që do të ndodhin këto dy ditë.
Faleminderit shumë, Kryeministri Berisha. Mirëdita të gjithëve. Është vërtet një nder të kthehem në Shqipëri dhe veçanërisht në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri dhe unë folëm vërtet për marrëdhënien e fortë dypalëshe midis dy vendeve tona. Shqipëria është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.
Vëzhgimi - Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike
Javët - Veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin, lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi, që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar
Reeker, Berishës: Ju presin javë kritike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip