Opozita kundër privatizimit të HEC-ve/Berisha: Përkthehen në investime direkte për qytetarët, PS alergji ndaj tregut
Berisha, deputetëve të PS: “Rama po ju heq nga listat, do përfundoni roje dhe muratorë te Muzeu i Enver Hoxhës”
Seanca e djeshme e Kuvendit u përfshi nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me privatizimin e katër HEC-ve. Partia Socialiste e kundërshton procesin, duke argumentuar se privatizimi i HEC-ve të Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 nuk është në përputhje me ligjin dhe kushtetutën si dhe, çmimi i shitjes të tyre është larg vlerësimit real. Por, për mazhorancën pretendimet e opozitës janë të pabaza pasi privatizimi është konform ligjeve në fuqi.
Nga foltorja e kuvendit, kryeministri Sali Berisha deklaroi se privatizimi është një filozofi e pandryshueshme e Partisë Demokratike, duke theksuar se të ardhurat e siguruara nga ky proces janë një burim i rëndësishëm për investimet në infrastrukturë. “Së pari, privatizimi pa diskutim që është një filozofi e pandryshueshme e kësaj force politike. Pikërisht se i besuam këtij parimi ne bëmë me tokë 460 mijë familje shqiptare. Në këtë parlament u zhvillua një betejë 2 javore lidhur me privatizimin e tokës. Në atë betejë Partia e Punës së Shqipërisë bëri gjithçka të mbante tokën, pronësi shtetërore, dhe tua jepte në përdorim fermerëve. Nxorën kartonin e kuq dhe u thanë që kjo është vija e kuqe, jashtë të cilës nuk dilni dot dhe u vendos privatizimi i tokës. Bazuar në këtë parim, Shqipëria në vitin 1993, në harkun kohor 8 mujor, privatizoi 220 mijë apartamente me çmimet simbolike nga 150 deri 300-400 dollarë dhe bëmë në këtë mënyrë, 220 mijë familje shqiptare, pronarë të banesave të tyre. Bazuar në këtë parim, vetëm në vitin 1998 u privatizuan 106 mijë sipërmarrje të vogla, të mesme dhe të trashëguara. Bazuar në këtë parim, ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër që vendin më kolektivist të planetit ta shndërrojmë në vendin në të cilin 80 për qind e prodhimit të brendshëm të vijë nga sektori privat. Le të ndalemi tani tek hidrocentralet. Përse ne i privatizojmë këto 4 HEC-e? Përveçse ne i përmbahemi parimit tonë, por duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë me ju të dashur qytetarë. Ne i privatizojmë sepse ne energji mund të blejmë, por rrugët tuaja të shtruara nuk i blejmë dot. Duhet t’i shtrojmë vetë. Rrugë të asfaltuara nuk na sjell njeri. Ne i privatizojmë këto HEC-e, sepse shkolla të reja nuk importojmë dot, nuk i gjejmë në tregjet ndërkombëtare. Na duhen para për të ndërtuar shkolla. I privatizojmë këto HEC-e sepse po ndërtojmë me dhjetëra e dhjetëra të tjera. Por subvencione për ullishte, arrorë, sera nuk sjellin dot. Na duhen paratë për ju. Po privatizojmë këto HEC-e sepse spitale të reja nuk importojmë dot. Na duhen para dhe do ti ndërtojmë ato. Në qoftë se ne privatizojmë, ne bëjmë atë, që paratë e tyre ti shndërrojmë në një të mirë shumë më të madhe direkte për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, dua të informoj shqiptarët se është politika e vendosur e kësaj qeverie dhe asaj që ishte nga 2005 e deri këtej, e cila ia doli në mënyrën më të suksesshme të ndërmarrë, të hapë siparin e ndërtimeve më të mëdha hidroenergjetike të vendit”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se rritja e prodhimit të energjisë, është një nga objektivat e ekzekutivit, dhe për këtë në harkun kohor të 6 viteve janë firmosur kontrata për ndërtimin e mbi 330 HEC-ve, ku ndër to spikat edhe projekti më i madh në Europë, kaskada e Devollit.
“Për 30 vjet me radhë ujërat e Shqipërisë u derdhën në detet dhe liqenet e saj si të pavlerë. Është viti 2007 që shënoi kthesën e madhe, vendimtare në drejtim të potencialit ujor të vendit. Nga viti 2007 e deri më sot, janë firmosur kontrata për ndërtimin e mbi 330 HEC-e në mbarë vendin. Nga 2007-a e deri më sot janë ndërtuar dhe janë në funksion rreth 70 HEC-e të reja. Nga 2007-a e deri më sot janë firmosur rreth 3 miliard euro investime në fushën energjetike. Nga 2007-a e deri më sot është firmosur dhe fillon projekti më i madh në Evropë, në fushën e energjisë ujore, kaskada e Devollit. Përse ju nuk bëni pjesë e këtyre zhvillimeve, por u ka mbetur mendja tek karrigia e kryetarit? Zotërinj, ju do të këndoni atë këngë edhe 15 vjet të tjera, ju garantoj. Por më mirë të angazhoheni për problemet e qytetarit, sesa për karrigen e kryetarit. Unë e them këtë se në katër anët e Shqipërisë punohet dhe punësohen njerëz. Unë isha në inaugurimin e HEC në Lapaj ku punonin 2500 punëtorë. Shikoni sa njerëz punojnë në kaskadat e lumenjve të mëdhenj dhe të vegjël të Shqipërisë. Përse ju mbani një qëndrim refraktar, ziliqar ndaj një politike e cila do të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale energjetike? Ka një qëndrim këtu, për tu dashur apo për tu pështyrë ky vend. Ne këtë vend e kemi për ta dashur. Ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë probleme, por ne po i zgjidhim ato një nga një, siç po bëjmë me energjinë dhe do të jetë shumë e afërt dita, kur kombe të tjera të detyrohen të paguajnë deri 150 për qind më shumë se sa paguajnë shqiptarët sot. Shqiptarët të blejnë energjinë ujore me koston më të ulët që ekziston. Ky është investimi, prandaj dhe ky quhet zhvillim i qëndrueshëm, prandaj dhe energjia e rinovueshme është shtyllë themelore e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë tha më tej se të gjitha akuzat e opozitës janë pjesë e strategjisë së saj që po bllokojnë vendin dhe shqiptarët. Ai ironizoi deputetët socialistë duke deklaruar se pasi Edi Rama t’i heqë nga lista e deputetëve, do përfundojnë roje dhe kuratorë në Muzeun e Enver Hoxhës.
“Unë e kuptoj se ju keni humbur edhe lidhjen me parlamentin, por unë sa të jeni këtu do ju respektoj, zotërinj, se nga lista juve ju heq Edi Rama, jo unë. Kini durim. Kur e nisi ai me Kukësin, Kurbanin, ju tjerët nuk ju ka asgjë. Pra, ne do të vazhdojmë, mesazhet nga qytetarët i kam këtu të gjitha. I lexoj dhe frymëzohem prej tyre. Pra, kjo është politika energjetike, por përveç kësaj Shqipëria shumë shpejt do të jetë pika nevralgjike e njërit prej projekteve më të mëdha të kësaj kohe, siç është gazsjellësi Transadriatik, një vepër kjo madhore, jo vetëm për Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë, por për mbarë Evropën. Pra, Shqipëria po shndërrohet çdo ditë e më shumë në vendin më të tërheqës për investimet e huaja. Zotëria tha se ‘investon kush investon’, dhe unë do t’i them zotërisë në këtë vend investojnë kompanitë më serioze të Evropës dhe të botës. Do ti them zotërisë se këtu në këtë vend kanë vendosur ëndrrën tyre, kompanitë më të shkëlqyera me performancën më të madhe në Evropë dhe në botë. Merruni ju me Muzeun e Enver Hoxhës atëherë. Ne do të merremi me veprat e mëdha që ndryshojnë jetën e shqiptarëve. Shkoni ju në muzeun e tij. Pra, me alergjinë tuaj ndaj privatizimeve, me alergjinë tuaj ndaj tregut, një nga një do të përfundoni roje dhe kuratorë në Muzeun e Enver Hoxhës në Gjirokastër, po ju pranoi Flamuri (Flamur Bime)”.
Kryeministri iu përgjigj akuzave të opozitës edhe për kompaninë CEZ. Sipas tij, kompania dështoi në Shqipëri, por privatizimi ka qenë transparent.
“Dështoi në Shqipëri, tregu i ka këto rregulla. Po dështove, ikën, por privatizimi ka qenë më transparenti. Ekonomia e tregut nuk është vetëm histori suksesesh. Histori suksesesh me suksese të vazhdueshme që përfundojnë të gjitha në zero dhe nën zero është vetëm socializmi. Tregu i ka të vetat, edhe suksesin, edhe mossuksesin”, tha Berisha.