E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandatin e ardhshëm, Shqipëria do arrijë nivele të larta zhvillimi

08-06-2013 / Gazeta 55

PD prezanton kandidatët për deputetë në Manzë të Qarkut të Durrësit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se mandatin e ardhshëm Shqipëria do të arrijë nivele të larta zhvillimi. Gjatë mitingut elektoral në Manzë të Durrësit, ku prezantoi kandidatët për deputetë, Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve më 23 qershor, duke premtuar uljen e moshës së pensionit për minatorët, rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërtimin e infrastrukturës, sistemin e vaditjes dhe rrogën e 13 për punonjësit e administratës. “Unë jam sot këtu për t’u dhënë juve fjalën, se me Oerd Bylykbashin dhe deputetët e Durrësit do të bëjmë gjithçka, që ju me punën tuaj të ndërtoni jetën më të mirë tuajën, që ju me punën tuaj të rrisni në mënyrë të vazhdueshme mirëqenien. Do të bëjmë gjithçka, që Manza, Durrësi, Shqipëria të arrijnë nivelet e larta të zhvillimit. Këto vite ne sëbashku kemi firmosur anëtarësimin në NATO, kemi firmosur sëbashku lëvizjen e lirë pa viza në Europë, kemi merituar statusin e vendit kandidat dhe së shpejti do ta marrim atë. Këto vite, ne në një kohë krize, ia kemi dalë të vazhdojmë të kemi rritje ekonomike, por ne duam që vitet që vijnë të jenë vite të horizonteve më të larta të zhvillimit. Ne duam, të shfrytëzojmë çdo potencial tonin për begatinë e qytetarëve dhe familjeve të Manzës dhe të Shqipërisë. Këtu në Manzë, para katër vitesh premtova se do ta bëjmë pensionin e minatorëve në 60 vjeç dhe e ulem, prapë ju premtoj minatorëve të Manzës, se pensioni do të ulet në 55 vjeç. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 50 herë më shumë sesa socialistët, rrugë në bashki dhe periferinë e saj. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar shkolla. Kemi subvencionuar fermerët e Mazës dhe trefishuar sipërfaqet me ullinj. Por katër vitet që vijnë, ne duhet të përfundojmë, duhet të ndërtojmë infrastrukturë moderne në çdo skaj të kësaj bashkie. Duhet të ndërtojmë shkollën, bibliotekën dhe terrenin sportiv të bashkisë së Manzës. Jam sot këtu për tu dhënë juve fjalën, se do të bëjmë gjithçka për suksesin e bizneseve tuaja. Hoqëm çdo taksë dhe tarifë doganore për çdo biznes bujqësor dhe jo bujqësor, për të gjitha makineritë  që  nevojiten për prodhim. Ndërkohë vendosëm sistemin për të paguar me para në dorë TVSH e makinerive, mjeteve dhe kimikateve që përdornin në fermat tuaja. Vendosëm të paguajmë me para në dorë akcizën e naftës për fermerët e Manzës dhe të gjithë Shqipërisë. Ju premtoj, se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për sistemin më modern të vaditjes së fermave tuaja në Manzë dhe në mbarë Shqipërinë. Në të gjithë përpjekjen tonë, qëllimi më madhor është që djersa juaj, puna juaj, të ketë vlerën më të madhe, tu japë më shumë, të fitoni më shumë ne biznese, në ferma dhe në çdo gjë tjetër. Ju garantojmë  mbrojtjen e prodhimeve tuaja. Vetëm rritja e numrit të turistëve në 4.7 milion ka dyfishuar kërkesën e tregut në Shqipëri brenda vendit, por ne do të mbrojmë  prodhimet tuaja, sepse i mbron çdo vend prodhimet e veta.
Ne besojmë tek iniciativa juaj e lirë, por ne kërkojmë që ju të jeni në kushte të barabarta me fermerët e vendeve të tjera dhe kemi besim të plotë, se kur ajo ditë të vijë, ju do të konkurroni më fuqishëm se të gjithë të tjerët”- u shpreh Berisha. Kryeministri sulmoi programin e PS-së, ndërsa akuzoi kryetarin Rama për paaftësi. “Cila është alternativa tjetër? Nuk e kam fjalën këtu për sharjet dhe fyerjet  e tij  që lëshon çdo ditë, sharje dhe fyerje kolektive, të cilat shqiptarët kishin menduar se ia lanë të shkuarës së tyre. Sharje dhe fyerje ndaj mësuesve, mjekëve dhe infermierëve, ndaj jush, ju quan robër. Nga xhamat e zi të autobuzit të tij, ju qytetarë që mbështesni alternativën e lirisë, jeni robër, jeni skllevër për të. Për gjyzlykët e tij, për mendjen e tij, këto katër vite në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mirë, as liberalizimi i vizave, as ndërtimet në të katër anët e rrugëve, shkollave, kanalizimet, as terminali i portit të Durrësit, as rritja e rrogave dhe pensioneve”- theksoi kryeministri. Ai i dha përgjigje edhe akuzave të Ramës. “Të gjitha këto, gjatë gjithë fushatës, në çdo takim nuk harron të servir këmishën, xhaketën apo jelekun tim si anti-plumb. Një demokrat më dërgoi një mesazh dhe më tha; Ai beson se ke lindur me këmishë. Ai e ka fiksim nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Tani ju qan hallin nipërve dhe mbesave të mija, se nuk ka kush të kujdeset për to. Ka fiksime nuk kemi çfarë ti bëjmë. Për dy gjëra ju bëj thirrje ju djemve dhe vajzave, grave dhe burrave të Manzës, të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë. Në dy gjëra ai përbën një rast unik në historinë e një kombi. Së pari në integrimin, gjithçka pati në dorë bëri për të shkelmuar këtë projekt, të secilit prej jush, demokrat, socialist, të pa parti. Çdo komb në Europë, e ka pasur dhe e ka jetike integrimin, por shqiptarët për shkak të paudhësive të historisë së tyre e kanë dy herë më jetik se çdo komb tjetër. Së dyti, sot kur e gjithë bota po i ul taksat, për  të dalë nga kriza, kur qeveria reformatore e Mario Montit vendosi taksën e sheshtë për të nxjerrë Italinë nga kriza, sot kur institucionet më serioze të botës deklarojnë se Shqipëria e ruajti rritjen ekonomike dhe nuk ra në recension, ky kërkon heqjen e taksave të ulta dhe zëvendësimin e tyre me taksën, të cilën për herë të parë në Shqipëri e vendosi daja i tij Spiro Koleka” - tha duke kryeministri, duke garantuar se taksa e sheshtë është taksa më e ndershme. “Me këtë taksë, çdo njëri paguan një të dhjetën e asaj që fiton. Ai që fiton dhjetë paguan vetëm një, ai që fiton njëqind, paguan vetëm dhjetë”. Kryeministri e cilësoi si kërcënim vendimin e Ramës për të hequr TVSH-në. “Zotëria, zotohet se do të heqë TVSH e miellit dhe përveç prodhimit të grurit, goditet e tërë  industria e bluarjes në Shqipëri. Janë mijëra e mijëra familje në Shqipëri që ushqehen dhe marrin rrogën në fabrikat e miellit në Shqipëri, atëherë ato sipas tij duhet të mbyllen, sepse gruri do të bluhet në Ukrainë, në Serbi, në Maqedoni e vende  të tjera. Ky njëri mos mendoni se e ka jo me të vërtetë, ky nuk merr vesh absolutisht se çfarë është fshati, se çfarë është tregu”- tha ai. Për fermerët, Berisha premtoi se qeveria do rimbursojë me para në dorë të akcizës dhe të të gjithë TVSH e shpenzuar për makineritë, inputet për fermat tuaja. Sikurse, kryeministri premtoi sërish zbritjen në 55 vjeç të pensioneve për minatorët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›