E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuanin peshk me dinamit, plagosen dy persona

ELBASAN Gjuanin peshk me dinamit në lumë, plagosen rëndë dy shtetas. Ngjarja ndodhi dje rreth mesditës në lumin Shkumbin në afërsi të fshatit Përparim të nënprefekturës së Peqinit. Gentian Rexha 35 vjeç dhe Eduart Dushku 45 vjeç me banim në lagjen “Xhami” të qytetit të Peqinit pësuan dëmtime serioze në trup pasi gjatë peshkimit me dinamit, lënda plasëse u ka shpërthyer në duar. Në gjendje të plagosur ata kanë dhënë alarmin dhe banorë të rastësishëm u kanë dhënë ndihmën e parë duke i dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Sipas mjekëve, dy peshkatarët kanë pësuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit e aktualisht ndodhen në reanimacion nën terapi intensive.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor i cili pas investigimeve paraprake ka arritur në përfundimin se ngjarja ka qenë aksidentale. Gjuetia e peshkut me dinamit dhe lëndë plasëse është e shprehur në lumenjtë Shkumbin e Devoll në qarkun e Elbasanit, por kjo gjueti është shoqëruar me ngjarje me pasoja për jetën e qytetarëve, madje në disa raste ata kanë humbur edhe jetën. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›