E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manipulohet votimi në Kuvend, AKZ: Duam listprezencën

Kjo lëvizje kërkon listprezencën e deputetëve në Kuvend gjatë votimit, si dhe zbardhjen nëse është respektuar parimi një deputet një votë.

“Të publikohet numri dhe emrat e deputetëve të pranishëm në sallë. Të publikohet lista e votuesve në votimin final, që ishte fatal për Shqipërinë”, ka deklaruar Aleanca Kuq e Zi në një komunikatë.

Kuvendi i Shqipërisë votoi dje me 71 vota pro dhe 2 abstenim ligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike.

Por, mediat kanë zbuluar se votimi në Kuvend i këtij projektligji është manipuluar, pasi në sallë mungonin dy deputetë të Partisë Demokratike, Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra.

Të ilustruara me foto, votën e deputetit Lefter Maliqi e ka shfrytëzuar i zgjedhuri i popullit Bedri Hoxha, i cili ka votuar dy herë, duke shkelur rregulloren e Kuvendit.

Për tre projektligjet e miratuara dje, në vend të deputetit Gëzim Dibra kanë votuar me radhë deputetët Arenca Trashani, Astrit Bushati dhe Rajmonda Bulku. Pamjet flagrante të manipulimit në “tempullin e demokracisë” janë publikuar sot në një prej të përditshmeve të Tiranës.

Gjatë votimit të djeshëm për projektligjin e regjistrimit, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 60 deputetë të ulur në vendet e tyre, 10 ministra, si dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Pra, në total numri i të pranishmëve në votim ishte 71 të pranishëm, dhe jo 73, pasi mungonte Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra.

Nga të pranishmit, pa dy votat "fantazëm", 69 kanë votuar pro kalimit të projektligjit, ndërsa dy deputetët çamë, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri abstenuan. /Start/

                                                                                             2011-07-08 13:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›