E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Në 2013 nuk do kandidoj më

Kryeministri italian e pohon qartë vendimin e tij në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane "La Repubblica" , duke shtuar se "nëse do të mundesha, do ta kisha lënë tashmë këtë post... por ja që s'ka mundësi të ndodhë kështu".

Në fakt, "nuk do të jap dorëheqjen - u shpreh kryeministri, - por dëshirën e kam. Gjithsesi, sido që të shkojnë punët, në zgjedhjet e vitit 2013 nuk do të kandidoj për postin e kryeministrit të vendit".

Për sa i përket postit të Presidentit të vendit, ai post “nuk bën për mua, personi më i përshtatshëm është Gianni Letta ", u shpreh kryeministri Berluskoni, sipas të përditshmes italiane "Corriere della Sera".

Nga ana tjetër, kryeministri Silvio Berluskoni mohon mundësinë që ndërkohë të kalohet në një qeveri teknike që do ta zëvendësonte atë, si dhe thekson se marrëveshja me Bossin e "Lega Nord"-it nuk ka gjasa të lëkundet.

"Nuk ka as edhe një mundësi që të lindë një qeveri e tillë, po legistët ku do të shkojnë vallë? Të gjithë ata që shkëputen përfundojnë keq. Mendoni për një çast Finin dhe Kazinin. Tashmë janë të papeshë politikisht. Projekti i tyre politik është zero me bisht. Isha unë personalisht synimi i tyre”, thekson “Kavalieri”. /Z. Gjurgji - Start/

                                                                                             2011-07-08 10:25
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›