E Diel, 1 Nëntor 2026

Manja: Procedura për ndryshimet territoriale në përputhje me Kushtetutën, konsultimi publik ishte real

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja deklaroi sot se procedura e ndjekur për hartimin dhe propozimin e ndryshimeve në hartën administrativo-territoriale është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Nga foltorja e Kuvendit, Manja theksoi se nisma e depozituar nga një grup deputetësh të PS-së më 30 korrik është vijim i punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale dhe synon përmbushjen e angazhimit elektoral për reformën territoriale 2.0.

Ai argumentoi se projektligji është hartuar në përputhje me nenet 68 dhe 69 të Rregullores së Kuvendit, si dhe me nenin 81 të Kushtetutës, që u njeh deputetëve të drejtën për të propozuar nisma ligjvënëse.

Duke iu referuar vendimit nr. 19, datë 15 prill 2015, të Gjykatës Kushtetuese për reformën administrativo-territoriale, Manja nënvizoi se Kuvendi ka kompetencën për të vendosur ndryshimin e kufijve të njësive vendore, ndërsa Kushtetuta kërkon marrjen paraprake të mendimit të popullsisë së prekur nga ndryshimet.

Sipas tij, marrja e mendimit të komuniteteve nuk nënkupton marrjen e pëlqimit të tyre, ndërsa qëndrimi kundërshtues i banorëve nuk e pengon automatikisht Kuvendin të miratojë ndryshimet territoriale.

Manja theksoi gjithashtu se konsultimi publik duhet të jetë real dhe i dokumentuar, duke u dhënë komuniteteve të prekura mundësinë të shprehin mendimin e tyre.

Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se gjatë shqyrtimit të nismës janë marrë parasysh kërkesat e bashkive Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Kurbin, Mat dhe Kavajë.

Si rezultat i konsultimeve, sipas Manjës, numri i qyteteve të parashikuara në propozimin fillestar është rritur nga 71 në 77, çka, sipas tij, dëshmon se konsultimi publik nuk ka qenë formal, por real.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›