E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Bashkitë ofrojnë mesatarisht 16-17, nga 42 funksionet që parashikon ligji

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, foli sot në Kuvend lidhur me reformën e re territoriale, duke argumentuar se organizimi i njësive vendore duhet të lidhet drejtpërdrejt me kapacitetin e tyre për t’u ofruar qytetarëve shërbime cilësore.

Mazniku tha se qytetarët nuk jetojnë në hartën administrative, por në shtëpi, lagje, fshatra dhe qytete, ku kanë nevojë për rrugë, ujë, pastrim, ndriçim, kanale kulluese e vaditëse, si dhe çerdhe, kopshte dhe transport publik.

“Njerëzit nuk jetojnë në hartë. Njerëzit jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t’u shkojë rruga, ku duan që t’u shkojë uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t’u pastrohet dhe t’u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan të kenë kanale kulluese e vaditëse, ku duan të kenë rrugë për arat e tyre. Njerëzit jetojnë në qytetet e tyre, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik”, tha Mazniku.

Ai u shpreh se reforma territoriale duhet të vlerësohet në funksion të aftësisë së strukturave administrative për të ofruar shërbimet që u takojnë qytetarëve.

Mazniku u ndal te funksionet që u janë ngarkuar bashkive me ligj, duke theksuar se kapacitetet aktuale të njësive vendore nuk janë të njëjta për t’i ushtruar ato.

“Sot ligji shqiptar parashikon 42 funksione, të cilat janë të strukturuara në 36 funksione buxhetore. Mesatarisht, bashkitë shqiptare ofrojnë 16-17 prej tyre. 41 prej tyre nuk arrijnë të ofrojnë më shumë se gjysmën e tyre. Kjo do të thotë se një pjesë e tyre nuk arrijnë të ofrojnë më shumë se gjysmën e funksioneve”, tha ai.

Sipas Maznikut, kjo situatë nuk lidhet me mungesën e dëshirës së bashkive apo të kryetarëve të tyre për të ofruar shërbimet, por me kapacitetet që kanë në dispozicion.

Ai argumentoi se bashkitë duhet të kenë të ardhura të mjaftueshme, burime njerëzore dhe kapacitete administrative për të ushtruar në mënyrë efektive funksionet e tyre, si dhe për të krijuar ekonomi të shkallës.

“Problemi është që në momentin e parë që ne kemi një strukturë administrative, duhet të sigurohemi që ajo strukturë administrative ka mundësinë t’i ofrojë ato shërbime të cilat duhet t’i ofrojë”, u shpreh Mazniku.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›