E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Modeli me 100 bashki do të dobësonte kapacitetet e pushtetit vendor

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku deklaroi sot në Kuvend se qëllimi i reformës së re territoriale është krijimi i bashkive më të forta, me kapacitete më të mëdha financiare, njerëzore dhe administrative për ofrimin e shërbimeve dhe realizimin e investimeve.

Duke iu përgjigjur debatit mbi arsyet e bashkimit të njësive vendore, Mazniku tha se reforma nuk udhëhiqet nga interesa elektorale, por nga nevoja për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

“Partia Socialiste e Shqipërisë ka vetëm një interes: si t’u shërbejë më mirë qytetarëve, si të përmirësohen rrugët, uji, rrugët e arave, si të pastrohen më mirë qytetet dhe si të bëhen bashkitë më të forta përballë Bashkimit Europian, që të kenë mundësi të marrin më shumë financime”, tha Mazniku.

Ai iu referua edhe propozimit për krijimin e 100 bashkive, duke argumentuar se një rritje e numrit të njësive vendore do të shoqërohej me më pak funksione dhe, sipas tij, me dobësim të kapaciteteve të bashkive.

“Le të jemi të vërtetë deri në fund: bëhen 100 bashki dhe hiqen disa funksione. Më shumë bashki, bashki më të dobëta”, u shpreh ai.

Sipas Maznikut, një model i tillë do të çonte në centralizim të mëtejshëm të funksioneve dhe do t’u kufizonte bashkive mundësinë për të ushtruar kompetencat e tyre.

“Nëse ka një projekt i cili është i centralizuar, i cili ua heq fuqinë njerëzve, këshillave bashkiakë dhe qytetarëve, është ai projekti që thotë 100 bashki”, tha Mazniku.

Në të kundërt, ai argumentoi se bashkitë më të mëdha dhe më të konsoliduara kanë kapacitete më të mira financiare, njerëzore dhe ekonomike për të ushtruar funksionet e tyre dhe për të siguruar financime për zhvillimin e territorit.

Mazniku e lidhi reformën edhe me perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë. Ai tha se në kushtet e anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Europian, bashkitë do të duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të përgatitur projekte zhvillimore dhe për të përfituar nga fondet europiane, përfshirë fondet e kohezionit.

“Ne na duhen bashki të forta, që janë të afta, krijojnë projekte zhvillimore për qytetarët e tyre. Na duhet të bëjmë gati projekte të rajonalizimit, në mënyrë që rajonet të funksionojnë si pika nga ku të rrjedhin financimet për zhvillimin e territoreve të tyre”, tha ai.

Mazniku u shpreh se reforma synon që në vitet e ardhshme të rriten investimet në territor, të përmirësohet infrastruktura dhe shërbimet publike, duke e lidhur këtë me forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›