E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Pas heqjes së imunitetit, unë do të shkoj në Parlament

I renditur i 3-ti listën e kandidatëve për deputetet në Qarkun e Dibrës ku Partia Socialiste arriti të fitojë vetëm 2 mandate në zgjedhjet e qershorit, juristi Ylli Manjani deklaron se do të zbatojë Kushtetutën duke shkuar në parlament në rastin kur mandatet e 2 kolegëve të tij do të cilësohen si të pavlefshëm për shkakë të bojkotit. Manjani mbështet interpretimin që juristët i bëjnë Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës duke i cilësuar se të pavlefshëm mandatet e deputetëve të grupit parlamentar socialist. Në një intervistë për Klan ai thotë se ditën që KQZ do ta njoftojë se ka marrë vendim për t’i dhënë mandatin si kandidat të radhës në listën e PS, ai do të jetë prezent në parlament për të përfaqsëuar votuesit dibranë.
Manjani “Mandati është i pavlefshëm kur s’bën betimin. Kjo që po bëjnë ata që i binden Ramës është shkelje e rënde e Kushtetutës. Ata që shprehen pro bojkotit janë persona të pavotuar. Jam për hapjen e kutive, por kur presioni e kalon cakun ligjor ai është i papranueshëm. Ne kemi përgjegjësi politike të shkojmë në parlament.”
I pyetur nëse ka parasysh atë që parashikon statuti për shkelësit e vendimeve të forumeve të selisë rozë, Manjani përgjigjet:
Manjani “Përjashtimi, unë aktualisht jam i përjashtuar nga PS, Rama s’më thërret në asnjë takim partiak. Është absurd të përdoren metotat enveriste si kërcënimi me përjashtim. Do të shkoj në parlament, nëse do shkojë deri këtu çështja. 2 të parët në listën e Dibrës nuk janë votuar realisht nga elektorati, unë jam më i votuari.”
5 deputetët e njohur si Lëvizja për mendimin ndryshe në deklarata të njëpasnjëshme janë shprehur se do ta thyejnë bojkotin në rast se rrezikohen që mandati i tyre të bëhet i pavlefshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›