E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Pensionistët e punësuar që paguajnë sigurime do të marrin bonus ose rritje

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, u diskutua të hënën nisma e opozitës për përjashtimin nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për pensionistët që vijojnë të punojnë.

Projektligji i propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara synon që pensionistët që kanë kaluar moshën e daljes në pension dhe vijojnë të jenë në tregun e punës të përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore, pasi, sipas propozuesve, ata kanë kontribuar gjatë viteve të punës dhe tashmë marrin pension.

“Ai e ka kryer detyrimin e tij, ka kontribuar gjithë ato vite dhe ka dalë në pension. Për këto vite që punon mund të paguajë sigurime me mijëra euro dhe nuk merr asnjë lek. Ato paguajnë sigurime përsëri për një skemë që nuk do t’i marrin më, kur do t’u rikthehen këto para? A nuk quhet kjo marrje e padrejtë?”, deklaroi Cara.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, tha se qeveria po shqyrton një zgjidhje për mënyrën se si do të trajtohen kontributet shtesë të pensionistëve që vijojnë të punojnë, duke përmendur dy alternativa.

“Njëra është rillogaritja e pensionit mbi bazën e kontributeve shtesë, ose dhënia e një pagese për çdo vit sigurimi pas daljes në pension. Një ndër arsyet pse po bëhet reforma është për të adresuar mjaftueshmërinë e pensionit, krahas elementeve të tjerë si qëndrueshmëria fiskale e skemës, pasi është një skemë deficitare. Aktualisht deficiti është 200 milionë euro”, tha Manjani.

Në përfundim të diskutimeve, projektligji i propozuar nga PD mori 5 vota pro nga opozita, ndërsa 8 deputetë të mazhorancës votuan kundër, duke bërë që nisma të rrëzohej.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›