E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tabaku: Me justifikimin e procesit të integrimit, po kalojnë edhe ligje klienteliste

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot se me justifikimin e procesit të integrimit po kalojnë ligje që janë në dëm të shumicës dhe favorizojnë pakicën.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, u shpreh se opozita ka bërë të mundur që të hapen dyert e komisioneve dhe të bëhen konsultime e përmirësime në lidhje me tre projektligje, të cilat sipas saj, janë në dëm të Shoqatës së Prodhuesve.

“Po kalojnë tre ligje në parlament që janë në dëm të Shoqatës së Prodhuesve dhe bizneseve shqiptare. Ne kemi bërë të mundur që të hapen dyert e komisioneve dhe që të ketë konsultime dhe të ketë ndryshime përmirësime cilësore në secilën prej drafteve. Bashkë me justifikimin e procesit të integrimit po kalojnë në legjislacion edhe shumë gjëra të tjera që i gjykoj klienteliste. Ka shumë ligje. Në momentin që vjen paketa fiskale, e di se cila taksë mbron secilin biznes. Në disa raste po përdoret kjo edhe për të nxjerrë nga tregu biznese dhe për të favorizuar biznese. Ky proces është në dëm të shumicës dhe në mbështetje të pakicës”, tha Tabaku në një studio televizive.

Sa i përket procesit të integrimit evropian, Tabaku u ndal te bujqësia, të cilën e cilësoi si më të vështirën. Sipas saj, mungesa e besimit të Komisionit Europian në menaxhimin e fondeve IPARD dhe pamundësia e fermerëve shqiptarë për të përballuar kostot e legjislacionit të BE-së janë pengesat kryesore.

“Gjatë diskutimit të pozicioneve negociuese, bujqësia është më e vështira, pjesa teknike. Arsyeja pse grup-kapitulli i fundit nuk është hapur, së pari, prej strukturave me fondet e IPARD dhe faktit që sot Komisioni Evropian nuk ka besim tek menaxhimi i fondeve nga institucionet shqiptare dhe e dyta, është se fermeri shqiptar nuk është gati që të zbatojë këtë legjislacion, që të mbajë kostot dhe ka një ngarkesë shumë të madhe. Sot një fermer, pa mbështetje nuk e nxjerrë dot produktin në treg vetëm”, tha Tabaku.

Tabaku shtoi se “gjatë diskutimit të pozicioneve negociuese, qeveria shqiptare ka kërkuar grace period, domethënë periudha që nuk i plotëson dot kriteret në momentin e anëtarësimit, por i plotëson në një periudhë kohore, kjo ndodh në çdo grup-kapitull. UKT-në që ta çojmë në standarde të BE-së do të na duhet 15 vite, kjo ndodh për infrastrukturën e zhvillimin rural. Vetëm në ujësjellës kanalizime duhen 8 miliardë euro për investime”.

“Ne kemi humbur 12 vite me propagandë dhe nuk kemi bërë ndryshimet konkrete që duhet të ishin bërë. Nëse do të kishte qenë prioritet politik”, tha Tabaku.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›