E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mantica: Italia përkrah zgjidhjen që i përshtatet realitetit në Kosovë

Prishtinë (rtk/start)- Zëvendësministri i Jashtëm italian, Alfredo Mantica, i cili ndodhet sot për një vizitë në Prishtinë, deklaroi se vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një prioritet absolut për çka do të gjendet një zgjidhje brenda Bashkimit Evropian. Mantica u takua me presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni, ku ka theksuar se Italia ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe respekton Planin Ahtisari.

Zëvendësministri i Jashtëm italian, Alfredo Mantica tha se Italia është angazhuar në kuadër të BE-së që të gjendet një zgjidhje që i përshtatet realitet në Kosovë, duke shtuar se vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një prioritet absolut.

“Ne veprojmë në BE dhe zgjidhja do të gjendet brenda Bashkimit Evropian që kryesohet nga Franca. E kemi njohur pavarësinë e Kosovës, jemi të përgjegjshëm për gjithçka që parashikohet në Planin Ahtisari. Do të gjejmë një gjuhë tashmë për t’i respektuar jo vetëm kërkesat por edhe gjuhën politike që të përdoret”-ka deklaruar Mantica.

Presidenti Sejdiu përsërit qëndrimin refuzues të Prishtinës ndaj planit 6 pikësh të Ban ki Munit, ndërsa ka shtuar se është e rëndësishme vendosja e EULEX-it në Kosovë duke u bazuar në katër pikat e paraqitura sot nga Prishtina.

“Ne e kemi shpreh qëndrimin tonë. Këto janë procese që nuk kanë përfunduar ende. Intenca e përbashkët është që të ketë vendosje të EULEX-it. Sigurisht se do të zhvillohen konsultime edhe të mëtejshme dhe në këtë kuadër ne kemi këtë qëndrim. Qëndrim tjetër nuk kemi”, ka thënë presidenti Sejdiu

Presidenti tha se është shumë e rëndësishme që të vazhdojë bashkëpunimi i thellë me SHBA-të dhe BE-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›